Ahmetaj pret homologun turk: Mirëpresim investimet

18/12/2014 00:00

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka pritur të enjten në një takim homologun turk, Nihat Zeybekci, me të cilin ka biseduar mbi marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes dy vendeve.

Në një konferencë të përbashkët shtypi të mbajtur në përfundim të takimit, ministri Ahmetaj ka deklaruar se Shqipëria i mirëpret investitorët turq.

“Aktualisht janë 296 kompani turke që veprojnë në vendin tonë dhe ne i mirëpresim investitorët turq. Gjithashtu, sot kemi diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë”, ka thënë Ahmetaj.

Ndërsa ministri turk, Zeybekci, nga ana e tij ka vlerësuar se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve bëjnë që potencialet ekonomike të mos njohin pengesa.

“Marrëdheniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe për rrjedhojë potencialet ekonomike nuk jane të kufizuara. Kemi inkurajuar investitorët tanë që të rrisin praninë në Shqipëri”, ka thënë Zeybekci.

Ministri turk ka theksuar më tej se, Turqia e konsideron Shqipërinë partner strategjik në Ballkan dhe ka njoftuar ngritjen e një grupi pune që do të takohet çdo muaj për konkretizimin e projekteve të përbashkëta.

Top Channel