Britania, gjithnjë e më larg BE-së, përplasja e radhës me Francën

18/12/2014 00:00

Hendeku mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian sa vjen e thellohet. Franca ka paralajmëruar bllokimin e një propozimi të kryeministrit David Cameron për të rishikuar një sërë marrëveshjesh që kanë të bëjnë me rolin e Britanisë brenda BE-së.

Sipas britanikes “The Telegraph”, presidenti francez, Francois Hollande do të bllokojë kërkesën e Cameron për amendime në legjislacionin e BE-së me argumentimin se të tilla ndryshime mund të sjellin nevojën e një referendumi në Francë.

Ky qendrim i Parisit pritet t’i komunikohet Londrës gjatë takimit të udhëheqësve të Bashkimit Europian në Bruksel qershorin e ardhshëm me temë kryesore sanksionet ndaj Moskës dhe problemet e Eurozonës.

Sipas “The Telegraph”, Hollande akuzon Cameron si ‘të fiksuar pas problemeve të veta’.

“Çmimi i mbajtjes së Britanisë në Bashkimin Europian po rritet gjithnjë e më shumë. Tani është koha për Britaninë e Madhe që të vendosë. Ne nuk do të marrim përsipër të tjera detyrime për ta mbajtur atë”, citon gazeta britanike një burim nga qeveria franceze.

Kundërpërgjigjja e këtyre zërave, edhe pse jo zyrtarë, ka qenë e ashpër nga konservatorët britanikë.

“Kryeministri kërkon të marrë marrëveshjen më të mirë të mundshme për Britaninë. Të kërcënosh me veto një ndryshim të marrëveshjeve pa e ditur s’e çfarë përmbajnë këto ndryshime tregon se sa larg realitetit janë udhëheqësit europianë”, deklaroi Liam Fox, ish-Ministër i Mbrojtjes.

Top Channel