Greqi, Tsipras: Kërkojmë një zgjidhje “të negociuar” për borxhin

18/12/2014 00:00

Partia radikale e majtë në Greqi, “Syriza”, mund të anulojë politikat shtrënguese të dakordësuara nga qeveria aktuale greke nëse merr pushtetin, por do të negociojë lehtësimin e borxheve me huadhënësit ndërkombëtarë pa ndërmarrë hapa të njëanshëm, deklaroi udhëheqësi i opozitës, Alexis Tsipras, këtë të enjte.

Duke thënë se ai është tërësisht i angazhuar për të mbajtur Greqinë në eurozonë, Tsipras ka deklaruar për “Reuters” se Europa duhet të shkurtojë ose të fshijë një pjesë të madhe të borxheve greke. Ai tha se huatë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar duhen paguar, por ai synon një zgjatje të maturimit të bonove të mbajtura nga Banka Qendrore Europiane.

“Syriza”, që pritet të fitojë nëse mbahen tani zgjedhjet e parakohshme në Greqi, ka thënë prej një kohe të gjatë se do të anulojë programin e shpëtimit të “Trojkës” së përbërë nga BE-FMN, si dhe do të kërkojë lehtësim të borxheve nëse vjen në pushtet, por këto komente shënojnë të parën herë që Tsipras ka deklaruar qartazi planin e partisë së tij për rinegociimin e borxheve.

“Negociimi nënkupton që dëshirojmë një zgjedhje të dakordësuar së bashku”, tha ai në një intervistë për “Reuters” nga selia e partisë së tij, duke shtuar se ai pret një “qëndrim” të ashpër fillmisht nga liderët europianë.

“Sa i përket borxheve dhe marrëveshjes së huadhënieve, që ne do të rinegociojmë: Ne nuk kemi aspak ndërmend të ndërmarrim hapa një njëanshme, deri kur ata të na detyrojnë t’i bëjmë ato. Megjithatë, besoj se askush nuk do të na detyrojë të bëjmë të tilla lëvizje, sepse askush nuk do të përfitojë nga një zhvillim i tillë, në zemër të Europës”.

Ai përjashtoi gjithashtu bashkëpunimin me partitë konservatore dhe ato të qendrës së majtë, të cilat janë në koalicionin qeverisës të kryeministrit Antonis Samaras për të shmangur zgjedhjet, duke thënë se një konsensus politik më i gjerë duhet të arrihet pasi të zhvillohen zgjedhjet kombëtare.

Spekulimet se qeveria e Greqisë do të përpiqet të krijojë një koalicion kombëtar më të gjerë për të parandaluar zgjedhjet e parakohshme janë rritur së tepërmi, pasi Samaras humbi raundin e parë të votimit për të zgjedhur Presidentin e ri gjatë së mërkurës, kusht i domosdoshëm për të shmangur zgjedhjet.

Top Channel