Maqedoni, opozita dhe BDI bojkotojnë fjalimin e Presidentit Ivanov

18/12/2014 00:00

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, fjalimin e tij vjetor e ka mbajtur në sallën gjysmë të zbrazur të Kuvendit. Përveç deputetëve të opozitës maqedonase, që bojkotojnë punën e Parlamentit, Ivanov u bojkotua edhe nga deputetët e partisë shqiptare BDI.

Që në fillim të fjalës së tij, Presidenti maqedonas shprehu keqardhje për mungesën e deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së, duke e cilësuar bojkotin si akt jodemokratik.

“Ky është fjalimi im i dytë gjatë këtij viti, para Kuvendit në përbërje jo të plotë. Më vjen keq, që edhe sot mungojnë deputetët e zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët. Duke lënë bosh vendet në Kuvend, ata i lënë qytetarë të papërfaqësuar. Vendet e tyre bosh në Kuvend nuk mund ta përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Presidenti Gjorgje Ivanov.

Fjalimin e Ivanovit e kanë ndjekur vetëm deputetët e partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, dhe ata të partisë shqiptare në opozitë, PDSH.

Deputetët e BDI-së që janë pjesë e mazhorancës thanë se mosprezenca e tyre në sallë flet për legjitimitetin e kontestuar të Ivanovit nga shqiptarët e Maqedonisë.

“Mosprezenca jonë sot në sallën e Kuvendit flet qartë dhe reflekton mbi vullnetin e komunitetit të dytë më të madh në Maqedoni, shqiptarëve, ndaj legjitimitetit të Ivanovit. Adresimi i sotëm i tij para një audience monopartiake në sallën e Kuvendit dëshmon arsyeshmërinë e veprimit tonë në zgjedhjet presidenciale”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Në fjalimin e tij vjetor, Presidenti maqedonas – përveç kritikave në adresë të partive që bojkotuan fjalimin e tij, – kritikoi edhe institucionet ndërkombëtare që, sipas tij, padrejtësisht po e bllokojnë integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Ivanov foli edhe për problemet ndëretnike në vend, çështjen e pazgjidhur të emrit, si dhe për situatën në arsim, media dhe gjyqësor.

Top Channel