Debate për penalizimin me burg, Blushi: Po e teprojmë. Rama: Situatë e jashtëzakonshme

18/12/2014 00:00

Kodi Penal ka ndryshuar edhe për ata që ndërtojnë pa leje, por jo pa debate për mënyrën se si ishte ndërtuar amendamenti, dhe personat që penalizoheshin nga kjo veprimtari e paligjshme.

Ben Blushi, deputet i PS: Unë hyj tek ata njerëz që fjala burg më shqetëson në fakt. Më shqetëson dhe jo vetëm mua, por dhe shumicën këtu në Kuvend, pasi po e përdorim paksa tej mase kohët e fundit. Nuk besoj se burgu është mundësia e vetme që kanë shqiptarët për t’u korrektuar. E kanë provuar për 50 vjet, kushdo që shkelte ligjin gjatë asaj kohe shkonte në burg. Nuk jemi më në atë kohë, madje shteti ka instrumente të tjera didaktikë, moralë, verbalë dhe administrativë (gjoba), pastaj burgu, për t’i korrektuar ata.

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam asnjë kompleks që të përdor fjalën burg, kur bëhet fjalë për t’iu kthyer lirinë dhe të drejtën atyre që – pikërisht sepse e kanë zbatuar ligjin – sot kanë humbur tokën e tyre; sot kanë humbur mundësinë që të jetojnë normalisht me familjet e tyre në komunitetet ku jetojnë; dhe sot kanë humbur mundësinë që të ndihen mirë përse janë qytetarë që respektojnë ligjin.

Ndërhyrja në Kodin Penal, që kërkon 84 vota, u bë e mundur pasi u ripa dënimi me burg: nga deri në 5 vjet, u ul në 3, dhe ku u rregulluan edhe disa terma të tjerë të amendamentit. Shtyhet amendimi për kolaudimin dhe mjetet me timonin në të djathtë.

Top Channel