Të gjithë u dashuruan me rolet e saj, e në veçanti me rolin e Livias te filmi “Nëse një ditë do të trokasësh në portën time”, aty ku luajti rolin e një mamaje të shkatërruar nga e bija e droguar, Klaudia. Ky ishte një ndër filmat më të dashur nga publiku, të së bukurës dhe së talentuarës Virna Lisi.

Aktorja me shumë çmime në Kanë dhe dy çmime “Davide di Donatello”, u nda përgjithmonë nga jeta në moshën 78-vjeçare, mëngjesin e së enjtes, një muaj pasi zbuloi se vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Virna Lisi e nisi karrierën e saj në ekran shumë vite më parë, me role tipike prej “vajze të mirë”. Ajo u lind dhe u rrit në një familje të thjeshtë, dhe po aq të thjeshtë e tradicionale e krijoi edhe familjen e saj me bashkëshortin Franco Pesci, me të cilin pati dhe një djalë. E konsideronte aq të shenjtë familjen, sa që pak kohë pas martesës u shkëput edhe nga bota e televizionit, për t’iu përkushtuar tërësisht asaj. Por, pas një viti, këmbëngulja e të shoqit e riktheu në ekran. E teksa rolet dhe fama shtohej, ajo u shqua si bjonde e rafinuar, me shumë stil dhe karakter të fortë.

Nëse kishte një fjalë, që urrente më tepër, ishte përcaktimi “diva”. “Kam punuar gjithmonë shumë, pa u kursyer, për të ndërtuar një karrierë të ndershme”, – tha muaj më parë në një intervistë për “Corriere della Sera”.

Në jetën e saj profesionale tha shumë “Jo”, për të cilat u shpreh se nuk u pendua kurrë. Nuk pranoi të luante “Barbarella”-n, rol i cili më pas u pranua nga Jane Fonda. Madje, Virna Lisi braktisi edhe Hollivudin.

Modestia e natyrshme me të cilën ishte brumosur, i la të kuptonte se “Meka” e kinemasë nuk e mbushte shpirtërisht. Por, ajo mbeti gjithmonë e sinqertë. E pranonte se pamja e jashtme ishte shumë e rëndësishme për të qenë pjesë e ekranit, por ajo nuk e përdori kurrë bukurinë, që më pas të katandisej si “Marilyn Monroe” e Mesdheut.

Në jetën e saj, fama nuk kishte kurrë vlerën e familjes. Virna Lisi mbeti gjithmonë një aktore me bukuri mahnitëse, por me këmbë në tokë. Për italianët e për fansat e saj në mbarë botën, buzëqeshja e saj shndërritëse nuk do të shuhet kurrë.

Top Channel