Vendet e mira, aty ky njerëzit rrëfejnë mrekullitë

18/12/2014 00:00

Sa herë themi Strikçan, në mënyrë instiktive i shtojmë togfjalëshin “Në Strugë të çon”, që është domethënia e emrit të fshatit. Pak e dinë se në këtë zonë të Bulqizës gjendet varri i një njeriu të mirë, i cili u lind në 1878-n dhe vdiq në vitin 1929.

Fshatarët, për çdo problem apo shqetësim, luten për mbarësi te vendi kur prehet Rushit Tollja, pasi besojnë fuqinë e tij të mbinatyrshme. Të gjithë e mbajnë mend vitin 1967, kur komunizmi i shpalli luftë fesë. Pikërisht në këtë kohë, ai zhvarroset nga Martaneshi, ku ishte varrosur fillimisht, për t’u rivarrosur nga familjarët në fshatin e lindjes. Kur arkivoli u hap pas 38 vitesh, të gjithë mbetën të habitur…

“Kufoma dukej sikur sapo ishte futur në varr. Këtë e dinë të gjithë ata njerëz që erdhën për ta parë, ishin mbi 300 vetë. I kapej dora normalisht, kishte ende mjekër, i ishin rritur thonjtë e duarve, dukej sikur të kishte ndërruar jetë në atë minutë. Edhe lidhëset në arkivol i kishte të bardha, ndërsa arkivoli ishte ‘dritë’ edhe pse ishte i njëjti që nga Martaneshi, mbi të cilin ishte edhe një batanije ngjyrë bojëqielli, sikur të ishte futur në atë minutë”, thotë një banore e zonës.

Që nga ai vit, Rushit Tollja u shpall njeri i mirë, ndërsa banesa e fundit u bë vend pelegrinazhi. Historia e trupit të padëmtuar u përhap shpejt në të gjithë veriun e vendit, ndërsa regjimi komunist dha urdhër që të varrosej sa më shpejt për të shuar bujën e ngjarjes.

“Ditë të caktuar të pelegrinazhit nuk kemi, por njerëzit me dëshirën e tyre vijnë në çfarëdolloj kohe. Nuk ka njeri që nuk vjen këtu, prej Grykës së Madhe, nga Bulqiza, por edhe nga Kruja vijnë njerëz. Mund të themi se arkivoli ka qenë hermetik, i bërë në atë mënyrë që të mos pranonte ajrin. Por, nga ana tjetër, nuk mund të themi që ai ka qenë një njeri i shenjtë, që ka bërë mirë”, thotë një tjetër banor i zonës.

Të shumta janë dëshmitë e njerëzve, që pretendojnë se kanë parë ëndrra, ku Baba Rushiti u fliste, e madje u jepte edhe porosi të veçanta…

“Përpara se sa Baba Rushiti të vinte këtu si kufomë, këtu ka pasur shenja zjarri. Pikërisht edhe kjo tybe është bërë për atë arsye, të ëndrrave që tregohen. Këtu ka mjaft raste të ëndrrave të njerëzve, të cilët kanë gjetur shërim. Ashtu siç kanë parë ëndrrën, ashtu u ka dalë. Ne kur shohim ëndrra për Baba Rushitin, gjithmonë si fis dhe si gjak bëjmë kurban, pavarësisht nga ditët. Ky është rasti tipik, që ne çlirohemi nga ana shpirtërore, e gëzojmë një harmoni të madhe pas këtyre rasteve. Na duket shërim”, thotë sërish një banor.

Në këte vend fshatarët kanë gjetur paqe, prehje shpirtërore, e shumë prej tyre edhe zgjidhje. Historitë e Baba Rushitit tregohen sot në çdo familje dibrane, duke shenjtëruar njeriun e mirë të Strikçanit…

Top Channel