Një valixhe, që ka bërë xhiron e botës

18/12/2014 00:00

Kjo valixhe nuk arrin asnjëherë të stacionohet, por është gjithmonë gati për udhëtimin e radhës!

Shpesh i duhet të përballojë edhe 4 udhëtime brenda muajit. Nga vende ekzotike si Malajzia; shtete të largëta, si Kina; e thuajse në të gjitha qytetet e klasifikuara si më të vizituarat në botë.

Ka shëtitur më shumë se 100 qytete në rreth 60 shtete të ndryshme të botës. Vetëm në vitin 2014 ka fluturuar në 70 avionë.

Përpos veshjeve dhe mjeteve të domosdoshme, pas çdo udhëtimi transporton edhe një suvenir të vendit që ka shkelur së fundmi. Duke e kthyer kështu shtëpinë, ku banon për vetëm pak ditë, në një qendër muzeale kujtimesh të udhëtimeve. Çdo kënd i shtëpisë ka një aventurë për të rrëfyer, një histori…

Me këtë intensitet prurjesh të suvenireve, nuk do të jetë e largët dita kur do të duhet të kërkojë për hapësira të reja, për të vendosur copëzat e vendeve që sjell mbrapsht pas çdo udhëtimi. Dhe për këtë nuk ka një ide të qartë, se si do ta zgjidhë.

Pak, por i sigurt, është fakti se kujtimet e reja që do t’u shtohen këtyre mureve do të vijnë nga Maldivet dhe Phuket, Tailandë.

Top Channel