Destinacionet e pushimeve: Për ku do e presin biletën shqiptarët?

18/12/2014 00:00

Kriza ekonomike apo dëshira për të shijuar borën, i ka larguar shqiptarët nga mundësia për të pushuar në vende të nxehta, ashtu siç ka qenë trend i viteve të fundit për pushimet e dimrit.

Sipas operatorëve turistikë, këtë vit janë preferuar vende më pak ekzotike dhe më të afërta me Shqipërinë.

“Duke qenë se ekonomia e Shqipërisë nuk ka qenë shumë e mirë këto kohët e fundit, më të preferuarat mund të them se kanë qenë vendet fqinje si Maqedonia, Mali i Zi, Greqia. Ka pasur edhe kërkesa për në Paris, Romë, Vjenë, por nuk janë si në vitet e kaluara. Preferohen edhe vende të largëta, si Dubai, për shkak se është vend i ngrohtë dhe disa kërkojnë të bëjnë pushime me mot më të mirë”, thotë Kelvin Andoni, operator turistik.

Turizmi i dëborës po shndërrohet në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve, për të kaluar ditët e pushimit dhe festat e fundvitit. Pushime në vende me dëborë për të bërë ski, apo në mal për shëtitje e për të ndierë kënaqësinë e oxhakut ndezur.

“Paketat në përgjithësi përfshijnë mëngjesin dhe darkën, natën ‘Gala’ të Vitit të Ri ose Krishtlindjes, varet se kush do të prenotohet, bashkë me muzikë ‘live’. Në qoftë shkojnë në vendet e largëta si Dubai, kanë edhe guidën turistike, vizitën nëpër vende të ndryshme si Burj Al-Arab, ku mundësojmë një darkë. Kemi ture nëpër duna Jeep Safari, dhe gjëra të ndryshme të tilla”, shton Kelvin Andoni.

Këtë vit, prenotimet kanë nisur që në ditët e para të muajit dhjetor, duke mos ia lënë minutës së fundit planifikimin e tyre.

Top Channel