Negociatat, Fleckenstein takon Metën: Të hapur për çdo marrëveshje

18/12/2014 00:00

Eurodeputeti Knut Fleckenstein, i ngarkuar nga Parlamenti Europian për të negociuar me palët në Tiranë, për zgjidhjen e krizës politike në vend, ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar dhe ka nisur takimet fillimisht me krerët e mazhorancës.

Prej 30 minutash ai ndodhet në Zyrën e kryeministrit Edi Rama, me të cilin po zhvillon takimin e dytë në Tiranë. Fillimisht ai u takua me kreun e Parlamentit Ilir Meta, i cili e ka siguruar eurodeputetin se opozita ka të gjithë hapësirën e nevojshme dhe të domosdoshme në Parlament, për të ushtruar detyrën e saj morale dhe kushtetuese.

Pas takimit, kreu i Kuvendit u shpreh i hapur për çdo propozim të opozitës, për atë që ajo quan “kriminalizimi i Kuvendit”, por deri më sot – tha Meta – nuk ka ardhur asnjë propozim konkret nga Partia Demokratike.

“Ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo dialog, qoftë edhe marrëveshje, që bazohet në parime demokratike dhe në respekt të parimeve kushtetuese, që ndihmon në funksionimin më të mirë të Kuvendit të Shqipërisë dhe në krijimin e hapësirave të nevojshme për opozitën”, deklaroi kryeparlamentari Meta.

Top Channel