Çmimi “At Zef Pllumi 2014”

18/12/2014 00:00

Libri “Pax Albanica” i publicistit Mustafa Nano u vlerësua me çmimin “At Zef Pllumi”, si një vlerë e shtuar kushtuar tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Publicisti Mark Marku, në cilësisë e kryetarit të jurisë për çmimin “At Zef Pllumi”, tha se puna për përzgjedhjen e veprave fituese nuk ka qenë aspak e lehtë. Aktiviteti u organizua nga Komuna e Shëngjinit në Lezhë.

“Mendoj që përveç institucioneve të tjera kulturore, vetë çmimet janë një kontribut për të përcaktuar sistemin e vlerave, por nga ana tjetër edhe për të orientuar publikun, lexuesin e kritikën letrare drejt disa veprave, që meritojnë të nderohen”, u shpreh Mark Marku, kryetar i jurisë.

Nga ana e tij, publicisti Mustafa Nano u shpreh i nderuar për marrjen e këtij çmimi.

“Emrat që e kanë marrë përpara nesh janë emra të rëndësishëm, siç u përmend Ismail Kadare, një homazh që i bëhet atij, por është një gjë që e ka menduar prej kohësh. Është një personazh me një staturë morale të padiskutueshme, absolute”, u shpreh Mustafa Nano.

Agron Gjekmarkaj, anëtar i jurisë, ka folur për librin e Mustafa Nanos, “Pax Albanica”, ku shpegoi pse juria përzgjodhi atë si fitues të çmimit “At Zef Pllumi”.

“Është një libër që prek çështjen më interesante të kombit shqiptar, atë të bashkëjetesës fetare, për të cilën ne konsiderohemi si model. Ai e trajton këtë në një mënyrë mjaft shkencore dhe integrale, që në momentin kur shfaqet nevoja për bashkëjetesë, kur shndërrohemi nga shoqëri monofetare në shoqëri plurifetare, si e kemi ruajtur, si e ruajmë dhe si mund ta ruajmë në të ardhmen”, shprehet Dr. Agron Gjekmarkaj, anëtar i jurise.

Ky çmim iu dha edhe gazetarit Blendi Fevziu, shkrimtarit Viron Graci për prozë, Lisandri Kolës për poezi dhe, në memoristikë u vlerësua Instituti i Krimeve kundër Njerëzimit.

Top Channel