Protestë kundër aksionit të INUK në Udenisht

18/12/2014 00:00

Protesta e nisur pak ditë më parë prej dhjetëra banorëve të Komunës Udenisht, të cilët shpronësohen me qëllim zbatimin e projektit për rehabilitimin e vijës liqenore, ka bërë që tashmë situata të dalë nga kontrolli dhe të arrihet deri në konfrontime fizike.

Ata refuzuan prishjen e shtëpive, lokaleve, restoranteve dhe hoteleve. Ata bëjnë përgjegjëse komunën për shkatërrimin e 8 objekteve dhe zhvilluan edhe një takim me përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Ndërsa kanë kërkuar sqarime nga grupi i ekspertëve, duke ngritur pretendimin jo vetëm për prishjen e padrejtë, por edhe për vlerën e papërfillshme të kompensimit, banorët kanë ngritur shqetësimin se në shumë prej bizneseve ata janë punësuar dhe ky shpronësim është dëm tepër i madh për ta.

“Jam tërësisht kundër çdo vendim prishjeje dhe kundër çdo vlerësimi pa marrëveshje dypalëshe, apo pa ndërhyrë gjykata te të cilët besoj shumë. Të dielën në mbrëmje kur kam ardhur e gjeta hotelin të prishur nga punëtorët, nga frika se do e shembte INUK. Vlera e dëmshpërblimit nuk përputhet gjëkundi me vlerën që ka ai objekt”, thotë një banor i zonës.

Pas një takimi të tensionuar mes banorëve dhe grupit përfaqësues të Ministrisë, largimi i këtyre të fundit ka hasur në rezistencën e banorëve. Teksa protestonin para komunës, turma është sulur drejt automjetit të tyre, duke u bërë pengesë që ata të largohen. Ky reagim është pasuar nga ndërhyrja e policisë, e cila ka shpërndarë turmën.

Në mbështetje të banorëve shkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

“PD është në mbështetje të banorëve të kësaj zone. Prej katër ditësh ngrenë zërin dhe dalin në protesta nga mëngjesi deri në darkë, dhe asnjë përfaqësues nga qeveria nuk vjen t’i takojë e t’u japë një shpjegim se përse shtëpitë e tyre duhen të prishen, qoftë banesat e tyre pronë private, ashtu dhe bizneset në disa raste, dhe për qëllimin e kujt po prishen”, tha Ervin Salianji.

18 familje në komunën Udenisht janë njoftuar për prishjen e objekteve të tyre të ndërtuara përgjatë bregut të liqenit.

Top Channel