Përballja e parë tokësore me ISIS, trupat amerikane ndërhyjnë në terren

19/12/2014 00:00

Forcat amerikane u përballën në betejën e parë tokësore me militantët e kalifatit islamik. Gjatë luftimeve raportohet të kenë humbur jetën një numër i konsiderueshëm ekstremistësh, duke bërë që kjo të jetë një disfatë e madhe për grupin terrorist.

Beteja tokësore nuk ishte  planifikuar, thotë James terry, gjenerali kryesor në luftën kundër ISIS, por gjithçka u vendos në momentin e fundit, më tepër për vetëmbrojtje. Kjo, pasi militantët tentuan të futeshin në bazën ushtarake “Al Asad”, një nga bazat, e cila strehon forca amerikane, por që mbetet në përdorim nga ana e ushtrisë së Irakut dhe është në pozicion kyç të linjës së frontit kundër ISIS.

Në ndihmë të operacionit tokësor erdhën edhe disa avionë ushtarakë amerikanë, të cilët i dhanë militantëve të ISIS, goditjen e fundit për t’u tërhequr nga zona.

Ndërkohë, forcat kurde kanë nisur një nga operacionet ushtarake më të rëndësishme për të rimarrë në kontroll qytetin veriperëndimor të Sinxharit.

Deri më tani raportohet që luftëtarët peshmerga kanë patur përparësi në betejën e tyre. Por nga ana tjetër as ISIS, nuk tërhiqet nga masakrat e tyre. Grupi bëri një ekzekutim masiv në provincën al-Anbar të 150 grave, disa prej të cilave ishin shtatzënë. Shkak për këtë masakër u bë sepse ato refuzuan të martoheshin me militantët e ISIS.

Top Channel