Gazifikimi i Shqipërisë, marrëveshje me qeverinë e Azerbajxhanit

19/12/2014 00:00

Qeveria shqiptare dhe ajo e Azerbajxhanit nënshkruan një marrëveshje e cila i hap dritën jeshile studimit të fizibilitetit për gazifikimin e Shqipërisë. Ky është hapi i parë i nisjes së një procesi të rëndësishëm, tha ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, gjatë konferencës për shtyp.

“Në të ardhmen, Shqipëria do të jetë një përfituese reale e gazit. Kjo do të thotë një diversifikim i burimeve energjitike të vendit dhe një siguri më e madhe nga pikëpamja energjitike. Me përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit kemi pasur një bashkëpunim intensiv gjatë këtij një viti e gjysmë në qeverisje. Shumë shpejt do të organizohet edhe komiteti i parë i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit ku do të diskutohet edhe në fusha të tjera të bashkëpunimit mes vendeve tona”, tha ministri.

Ministri i Industrisë dhe Energjisë së Republikës së Azerbajxhanit, Natig Aliyev, deklaroi se kjo marrëveshje tregon se marrëdhëniet mes dy vendeve forcohen nga dita në ditë: “Jemi të lumtur që krahas Shqipërisë, ne po mundësojmë shumë projekte të mëdha gazifikimi edhe në vende të tjera falë korridorit jugor të gazit. Të gjitha këto projekte kapin një vlerë prej 45 miliardë dollarë. Ne besojmë se të tilla projekte janë një siguri për gazifimin në të gjithë Europën Juglindore. Nuk duam që thjesht të jemi sjellësit e gazit në Shqipëri, por të shkojmë më tej edhe në shpërndarjen e gazit në territorin shqiptar. Për t’ja arritur kësaj, kompania shtetërore e gazit të Azerjbaxhanit do të nisë nga puna në muajin janar, në hartimin e një masterplani për Shqipërinë.”

Pak përpara nënshkrimit të kësaj marrveshjeje, delegacioni azer është pritur edhe nga kryeministri Edi Rama, ku është diskutuar rreth mundësisë se marrjes së asistencës nga kompanitë azere në përmirësimin e kapaciteve rafineruese të hidrokarbureve në Shqipëri.

Top Channel