Skemë mashtrimi me “azilin”, pranga organizatorit dhe bashkëpunëtorëve

19/12/2014 00:00

Policia e Vlorës dhe Fierit ka zbuluar se si ka funksionuar skema e mashtrimit me personat që kërkonin të iknin  si azilantë në Gjermani.

Ndërkohë me akuzën e “ndihmes për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “falsifikimi i dokumentave” u arrestua administratori i kompanisë “Agimi Travel” shtetasi Agim Vledin Muçaj.

“Fluksi erdhi sipas publicitetit që kam bërë unë. Korrektësia ime me njerëzit, korrektësia me punë dhe të gjitha këto”, deklaronte Muçaj një ditë më parë.

Në pranga kanë rënë dhe shtetasit Shezai Bedo Aliaj, pronar i një pike këmbimi valutor dhe Kastriot Avdi Hoxhaj. U arrestuan për moskallëzim krimi dhe punonjëset e agjensisë “Agimi Travel” në Fier, Denisa Avdul Mitro dhe Matilda Pandeli Mazreku, si dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim edhe të 4 personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Policia shpjegon se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufirit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh nga Shqipëria për në Gjermani me qëllim përfitimin financiar duke keqinformuar qytetarët. Të enjten ndodhi dyndja e madhe në Portin e Durrësit dhe kjo bëri që policia që të hetonte, të merrte masa për t’i ndaluar personat e mashtruar.

Nga verifikimet e kryra në lidhje me dokumentacionin që dispononin personat që do të kalonin pikën e kalimit kufitar të Portit Vlorë ka rezultuar se 245 persona kanë pasur mangësi të dokumentacionit.

50 prej tyre janë pyetur nga policia dhe janë banorë të fshatrave të Komunës Novoselë-Vlorë. Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se nëpërmjet keqinformimit të përhapur në komunitetin e fshatrave të Komunës Novoselë “se në shtetin e Gjermanisë ofrohet azil ekonomik” është nxitur interesi i komunitetit të kësaj zone për të udhëtuar drejt Gjermanisë me autobusët e agjensisë “Agimi Travel”.

Për të siguruar paratë një pjesë kanë shitur çdo gjë që nga sendet e shtëpisë e deri te kafshët dhe shpendët. Gjithashtu për të bërë të mundur kalimin e kufirit të udhëtarëve, nga shtetasit Shezai dhe Kastriot Aliaj, krahas shitjes së biletës nga Shqipëria për në Gjermani në pikën e këmbimit valutor në Novoselë, siguroheshin edhe ftesa të parregullta, të falsifikuara.

Itinerari i udhëtimit ka qene nisja me autobusët e agjensisë “Agimi Travel” nga Novosela si dhe nga Autogrilli në qytetin e Fierit me destinacion Mynihun ku dhe do të kërkonin azilin ekonomik.

Shuma e parave të cilët këta shtetas kanë paguar për një biletë vetëm vajteje ka qënë 140 euro. Kompania “Agimi Travel” kishte shitur edhe 320 bileta të tjera për persona që do kërkonin azil. Ata vijnë nga Elbasani, Berati dhe Durrësi.

Policia po heton sepse ka informacione që edhe në agjensi të tjera zhvillohet ky lloj mashtrimi.

Top Channel