Lidhjet tregtare SHBA-Kubë

19/12/2014 00:00

Lidhjet tregtare dhe ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës mund të shtohen ndjeshëm me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk pritet që kjo të ndodhë shpejt.

SHBA-ja vazhdon ta mbajë në fuqi embargon ekonomike ndaj ishullit të udhëhequr nga një qeveri komuniste, me të cilin i ndan vetëm 145 kilometra ujë në brigjet jugore të vendit. Kongresi Amerikan zor se do t’i heqë së shpejti të gjitha kufizimet ndaj Kubës, edhe pse Presidenti Barak Obama thotë se do të rifillojnë disa shkëmbime tregtare me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve të Hemisferës Perëndimore.

Lidhjet tregtare mes SHBA-së dhe Kubës morën fund në vitin 1960, kur Fidel Kastro mori drejtimin e vendit dhe shtetëzoi bizneset me pronarë amerikanë. Tani vëllai i Kastros, Rauli, po bashkohet me përpjekjet e Obamës për lehtësimin e armiqësive mes të dy vendeve. Dy analistë në Uashington vlerësojnë se eksportet amerikane në Kubë mund të arrijnë vlerën e 5,9 miliardë dollarëve në vit, ndërsa eksportet e Havanës në SHBA mund të kapin vlerën e 6,7 miliardë dollarëve.

Ata thanë po ashtu se me normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve investimet e drejtpërdrejta në Kubë mund të rriten nga më pas se 1 miliardë dollarë sot, në rreth 17 miliardë dollarë. Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të normalizuar marrëdhëniet me Kubën pas më shumë se 50 vjetësh është pritur me reagime të ndryshme.

Shumë amerikanë mbështesin argumentin e Presidentit Barak Obama se izolimi i Kubës është një politikë e vjetëruar që nuk u ka shërbyer interesave amerikane. Kritikët e vendimit thonë se normalizimi i marrëdhënieve është në një farë mënyre një mbështetje për regjimin komunist. Vetë presidenti kuban Raul Kastro shprehet se Obama mund të bëjë më shumë. Bllokada ekonomike, komerciale dhe financiare që solli vuajtje të mëdha humane dhe ekonomike mbi vendin tonë duhet të marrë fund, deklaron ai duke shtuar se pavarësisht faktit që këto masa u morën me ligj, presidenti amerikan mund të ndryshojë zbatimin e tyre përmes një urdhëri ekzekutiv.

Top Channel