Dorëhiqet shkencëtarja e skandalit të qelizave staminale

19/12/2014 00:00

Shkencëtarja udhëheqëse e një kërkimi shkencor që pretendonte se kishte gjetur një mënyrë të thjeshtë, të shpejtë dhe pa kosto të prodhimit të qelizave staminale dha dorëheqjen.

Studimi i grupit të shkencëtarëve japonezë është publikuar në revistën “Nature” në fillim të këtij viti. Udhëhequr nga shkencëtarja Haruko Obokata, grupi i shkencëtarëve deklaronin se vendosja e qelizave normale në një mjedis acid të caktuar i shndërronte ato në qeliza staminale, dhe i gjithë procesi zgjaste 30 minuta.

“Nuk mund të gjej fjalët për të kërkuar falje”, deklaroi Obokata.

Zbulimi u cilësua si revolucionar, duke patur parasysh koston dhe kohën që kërkon prodhimi i këtyre qelizave. Por ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Shkencëtarët anëmbanë globit nisën përpjekjet për të realizuar këto qeliza në të njëjtën mënyrë, por asnjëherë nuk ia dolën mbanë.

Kjo lindi dyshimet mbi vërtetësinë e studimit japonez. Kaluan pak kohë dhe të gjitha të dhënat u rrëzuan dhe studimi i cilësua i rremë.

Vitet e fundit qelizat staminale po përdoren me sukses në fushën e mjekësisë. Shkencëtarët e Shkollës së Mjekësisë në Harvard thonë se kanë zbuluar mënyrën për të transformuar qelizat staminale në “makineri vrasëse” për kancerin në tru.

Eksperimenti është kryer tek minjtë. Qelizat staminale u modifikuan gjenetikisht për të prodhuar toksina që shkatërrojnë qelizat tumoriale në tru pa prekuar qelizat normale.

Shkencëtarët thonë se faza tjetër është testimi i kësaj procedure tek njeriu.

Ndërkohë, nga Suedia një grup shkencëtarësh kanë arritur në përfundimin se qelizat staminale mund të përdoren për të zëvendësuar qelizat e dëmtuara të trurit nga sëmundja e Parkinsonit.

Shkencëtarët e Universitetit Lund thanë se eksperimentet e kryera tek minjtë patën rezultate optimiste.

Parkinsoni është sëmundje që shkakton humbjen e qelizave nervore që prodhojnë dopaminën në tru, e cila nga ana e saj ndihmon në kontrollin e lëvizjeve dhe sjelljes.

Studiuesit vranë qelizat nervore në njërin lob të trurit të miut dhe më pas specializuan qelizat staminale në neurone që prodhojnë dopaminë. Më pas këto neurone u injektuan në trurin e miut dhe rezultati ishte riparim i gjithë dëmtimit të kryer.

Top Channel