Vrasja në shtëpi, Prokuroria ngre akuzë për Flamur Ymerin

19/12/2014 00:00

Pas tre ditësh në dilemë, Prokuroria vendosi të ngrejë akuzë për Flamur Ymerin, për të cilin do të kërkojë arrest me burg në Gjykatën e Tiranës për vrasje në kapërcim të kufinjve të mbrojtjes së nevojshme të shtetasve Ervin Shaba dhe Adnan Luli, si edhe për armëmbajtje pa leje.

Por, ndërsa Flamur Ymeri do ta degjojë në gjykatë këtë qëndrim të Prokurorisë ditën e shtunë, ajo që nuk do të dëgjojë ai është pikërisht mungesa e një versioni të organit të akuzës nëse e dyshon atë t’i ketë vrarë gjatë një përleshjeje me grabitës në banesën e tij.

Burimet thonë që prokurori do ta përmendë deklaratën e Flamur Ymerit si pretendim të të akuzuarit, por nuk do të japë një version të tij nëse ishin dy viktimat apo jo grabitës, pasi ende nuk kanë ardhur akte të tjera, siç është konstatimi i autopsisë, nëse janë qëlluar ata mbi maskë apo jo si edhe disa akte të tjera të policisë shkencore.

Nga ana tjetër, sipas këshilltarit të Prokurorit të Përgjithshëm, prokurori i çështjes, Erjon Ymeri, e akuzon të pandehurin jo vetëm për vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, por edhe për armëmbajtje pa leje, neni 278 paragrafi i tretë.

Por, pikërisht akuza e fundit e armëmbajtjes bie ndesh me pretendimin e të pandehurit se ai nuk kishte armë në banesën e tij në kohën kur është sulmuar sipas tij nga dy grabitësit e maskuar, të cilët sipas të pandehurit, pasi u përlesh me ta, i qëlloi me armët që ata mbanin në duar.

Për Prokurorinë, ajo që e bën të dyshimtë është konstatimi i një predhe në trupin e njërit prej të rinjve të vrarë në banesë, për të cilin laboratori i kriminalistikës dyshon se nuk përputhet me asnjërën nga armët e sekuestruara në vendngjarje.

Por, këtë armë grupi i hetimit nuk e ka gjetur ende, ndonëse i pandehuri thotë se i ka hedhur në vendin e krimit.

Top Channel