Prapaskenat e “paqes” me Castrot: negociatat, kriza dhe “ok”

19/12/2014 00:00

6 vjet më parë, Barack Obama hodhi një gjysmë fjalë. 18 muajt e fundit kanë qenë të ngjeshur me negociata supersekrete të mbajtura nëpër vende të fshehta, shumë larg syve të publikut.

Përmendet ndihma e diplomacive të huaja dhe ndërhyrja e Papa Françeskut për të afruar dy shtete në armiqësi prej më shumë se 5 dekadash. Në fund, “pedalit të gazit” i është mëshuar edhe prej situatës së naftës, që ka dërrmuar Venezuelën e ka shteruar ndihmën ekonomike për Havanën.

Historia e afrimit mes dy kundërshtarëve të Luftës së Ftohtë, çeli këtë javë një kapitull të ri. Në Kubë pritet të caktohet si ambasador i Amerikës, Jeffrey deLaurentis, diplomat karriere që shërben aktualisht si kryetar i delegacionit të zyrës përfaqësuese të interesave amerikane në Havana.

Thuhet se po përgatitet edhe një vizitë shtetërore e Raul Castros në Uashington. Pas kësaj, – shkruan gazeta italiane “La Republicca”, – fshihet dhe një “cunam” çështjesh private: nga “Coca Cola”, te “General Motors”; nga “Cisco”, te “Carlos Slim”; të mëdhenjtë e kapitalizmit amerikan përgatiten të festojnë rikthimin tek ajo që dikur ishte “një koloni Yankee”.

Në një debat parazgjedhor në 2008-n me rivalin republikan John McCain, Obama – asokohe senator i Illinoissit, e pati lëshuar si padashje një pohim, që u përshkrua si “i shkujdesur” e që mund t’i kushtonte shumë.

“Nëse bëhem President – pati thënë ai, – do të doja të ristabilizoja marrëdhëniet me Kubën. Jam gati të vendos relata edhe me Iranin. Moskomunikimi me kundërshtarët është një politikë, që nuk më bind”. “Ah, çfarë gjeniu që je”, – ishte përgjigjja tallëse e McCain.

Sot Obama, me veprimet e tij, dëshmoi koherencë e këmbëngulje dhe, dy vitet e mbetura të mandatit i shenjon me një arritje historike. Por si u mbërrit deri këtu?

Fillimisht ishte incidenti i Alan Grossit 5 vjet më pare, kontraktori i qeverisë amerikane që në Kubë donte të çonte teknologji për aksesin në internet, e që u fut në burg, ku dhe u sëmur rëndë. Nëse ai do të kishte vdekur, normalizimi i marrëdhënieve sot do të ishte i pamundur.

Një moment vendimtar ishte dhe takimi i Obamës me Atin e Shenjtë në Vatikan. Biseda mes tyre u zhvillua pa praninë e personave të tjerë dhe, vetëm pak ditë përpara saj, Papa Françesku, i pari Papë latinoamerikan, i kishte dërguar Raul Castros një letër private. Edhe pse në fakt Presidenti kuban nuk bën asgjë i vetëm, e fantazma e Fidelit ka qenë gjithmonë e pranishme, zhbllokimi i lirimit të Alan Gross, i perceptuar si gjest humanitar, hapi rrugën drejt suksesit final.

Një tjetër faktor i rëndësishëm, – sipas “La Repubblica”-s, – është çmimi i naftës. Që prej shembjes së Bashkimit Sovjetik, Venezuela u kthye në një mbështetje të fortë ekonomike për regjimin “kastrist”. Por kriza e ka pllakosur këtë vend, sidomos muajt e fundit, dhe me naftën që ka humbur gati 50% të vlerës, Karakasi është për vete në prag falimentimi, e Havanës i duhet të gjejë mbështetje gjetkë.

Top Channel