Dilemat e investimeve kineze, çfarë kërkon Pekini në këmbim?

19/12/2014 00:00

Profesor Ilia Kristo, që jep lëndën e “Biznesit Ndërkombëtar” në Fakultetin e Ekonomisë, thotë se plani i Kinës për investime në Ballkan është një nismë, nga e cila përfitojnë të gjithë. Sipas tij, këto investime rikonfigurojnë rrugët tregtare të globit, duke e bërë Ballkanin dhe Shqipërinë një nyje të rëndësishme mes Lindjes dhe Perëndimit.

“Produktet që vijnë nga bota lindore nëpërmjet lindjes, nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, nëpërmjet transportit tokë, ajër, det dhe tuba, po shikojmë një rikonfigurim të kësaj rruge, tashmë të lirë nga pengesat politike”, thotë profesor Kristo.

Por, Ilir Ciko thotë se këto fonde nuk vijnë falas, ndaj qeveria duhet të ketë kujdes në përzgjedhjen e projekteve që i ofrohen.

“Në kushtet kur mundësitë për të thelluar borxhin publik janë tejet të kufizuara dhe problematike, padyshim që marrja e investimeve të reja duhet të shkojë në ato projekte që konsiderohen më prioritare”, thotë Ciko, ekspert i ekonomisë.

Në tre vitet e fundit, Kina ka investuar 110 miliardë dollarë në vendet në zhvillim, duke lënë pas edhe Bankën Botërore. Por, politika e saj shpesh shihet si shumë pragmatiste. Në këmbim të kapitaleve, qeveria e Pekinit kërkon akses në burimet natyrore.

“Në këtë këndvështrim duhet të kemi parasysh parimin bazë në financat publike, bëj kujdes nga dreka falas. Duhet të dijmë arsyet reale përse ofrohen këto fonde me kushte që konsiderohen shumë të ulta”, thotë Arben Malaj, ekspert ekonomie.

Veç ekspansionit ekonomik, Kina i ka përdorur kapitalet e saj edhe si një instrument për të rritur influencën e saj gjeopolitike. Malaj thotë se, në këtë pikë, Shqipëria duhet të bëjë kujdes, për të mos dhënë sinjale negative mbi kursin e saj.

“Duhet të eleminojmë çdo harmonizim maksimal me veten dhe me vendet e rajonit lidhur me gjeopolitikën tonë drejt të ardhmes europiane. Në të kundërt jemi të bindur, e para që përfitimet nuk do të jenë dhe nga përfitimi rrezikohemi të kemi kosto”, shtoi Malaj.

Në samitin e Beogradit, Kina lajmëroi se do të financojë 10 miliardë dollarë në vendet e Ballkanit, kryesisht projekte në infrastrukturë, përmes kredive të buta. 

Top Channel