Greqi, deputeti akuzon: Duan të më blejnë votën. Ofrojnë 2-3 mln euro

19/12/2014 00:00

“Thriller”-i i zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Greqisë është pasuruar me një tjetër goditje, ndoshta edhe të pritur: akuzat për manipulim votash.

Ai që ka trazuar ujërat është Pavlos Chaikalis, deputet i “Grekëve të Pavarur”, një parti opozitare e së djathtës, mes të cilëve qeveria e Antonis Samaras po kërkon të sigurojë votat e nevojshme për të arritur kuorumin dhe për të zgjedhur si President të ri të vendit, ish-Komisionerin e BE-së, Stavros Dimas.

“Gjithçka nisi si me shaka, por gjërat u bënë tepër serioze më pas – ka deklaruar Chaikalis në një intervistë televizive. – Më propozuan 700 mijë euro paradhënie dhe 2-3 milionë në total, që do të paguheshin disa për të mbyllur kreditë e mia dhe disa me kontrata publiciteti”. Chaikalis tha se i ka dorëzuar një regjistrim forcave të rendit, pa bërë publik në fakt emrin e atij që kishte tentuar ta korruptonte.

Sipas të dhënave, deputeti ka takuar tashmë tri herë prokurorët, duke informuar liderin e partisë, Panos Kamennos, e duke regjistruar takimet. Ai më decizivi raportohet t’i jetë dorëzuar edhe policisë – siç njofton Chaikalis, – por shkelësi i dyshuar nuk është bërë i njohur. Ndërmjetësi – ka thënë Kamennos në një konferencë për shtyp – është një bankier, i cili ka punuar për një kohë të gjatë në “Deutsche Bank”, përpara se të transferohej në “Piraeus Bank”. Por emri sërish ka mbetur i paidentifikuar.

Samaras ka nevojë të padiskutueshme për një grusht të mirë votash nga opozita, për t’ia dalë mbanë të zgjedhë kandidatin e tij për President. Qeveria ka 155 vota nga 300 vende në Parlament dhe për të përzgjedhur Dimasin nevojiten 200 vota në raundin e dytë të votimeve, më 23 dhjetor, dhe 180 në të tretin, që mbahet më 29 dhjetor. Në raundin e parë, Dimas mori vetëm 160 vota. Nëse nuk do të zgjidhet as më 29 dhjetor, Greqia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në janar.

Top Channel