PD: Parlamenti ndryshoi ligjet e konsensusit

19/12/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se në mënyrë të njëanshme dhe me nxitim ndryshoi dy nga tre ligjet që ishin miratuar me konsensus në vitin 2013, si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

“Për Partinë Demokratike kjo është rruga e gabuar, nuk është rruga e konsesusit dhe bashkëpunimit. Kjo është rruga e gabuar e reformave në vend dhe asaj të drejtësisë në veçanti. Kjo është rruga e kontrollit të sistemit të drejtësisë.

Kryeministri i vendit, ashtu si të gjithe shqiptarët e njohin, ka një kontratë me krimin e organizuar në vend dhe është krimi i organizuar që kërkon kontrollin e sistemit të drejtesisë, është krimi i organizuar që kërkon kontrollin e çdo vendi pune në administratë, dogana, tatime, pika të kalimit kufitar.

Partia Demokratike i bën thirje edhe njëherë sot Partisë Socilaliste: Mos e degradoni Shqipërinë deri në këtë pikë, mos e degradoni sistemin e drejtësisë dhe administratën publike deri në këtë pikë.

Të ndaleni në kapjen e sistemit të drejtësisë, në kapjen dhe degradimin e administratës publike, të ndaheni nga kontrata që kryeministri ka bërë me krimin e organizuar.

T’i dalim zot vendit për ta çliruar nga krimi i organizuar që ka kapur politikën e kërkon të kapë drejtësinë e administratën. Kjo që po bëni është rruga e gabuar, rrugë e cila ka vetëm një fund”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Top Channel