Lufta kundër duhanit, nga janari më shumë kontrolle

19/12/2014 00:00

Në janar do të ketë prani  të shtuar të inspektorëve të Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror dhe ligji antiduhan pritet të respektohet në mënyrë rigoroze edhe nga ato subjekte që e tolerojnë në orët e natës, por edhe në qytete të tjera.

Ndonëse ligji antiduhan po respektohet dhe në lokale të Tiranës dhe qyteteve të tjera dhe tanimë  mund të shijosh një kafe pa praninë e tymit të cigares, ka ende pronarë lokalesh në zona periferike  që mendojnë se mund t’u shpëtojnë kontrollove dhe lejojnë duhanin në ambiente të brendshme.

Kreu i Inspektoritatit Shëndetësor Shtetëror, Eltar Deda tha se kontrollet do të shtohen dhe askush mos të mendojë se ligji nuk do të vijojë të zbatohet.

“Do të jetë shtrirje e të gjithë Inspektoriatit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Do të ketë struktura më të plotësuara dhe në të njëjtën kohë do të ketë një mbulim të të gjithë territorit. Mbulohet edhe në këto momente, por janë të atashuara si pjesë e Drejtorisë së Shëndetit Publik, në janar do të shkëputen më vete, ashtu sic është në Qarkun e Tiranës”, tha Eltar Deda, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.

Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror në bashkëpunim me Inspektoriatin e Arsimit kanë qenë në shkollat e mesme të kryeqytetit, jo vetëm për të monitoruar situatën tek nxënësit e shkollave të cilat janë grupmosha më e rrezikuar për të filluar apo vazhduar konsumin e duhanit, por për të monitoruar edhe tregtarët që shesin paketa në zonat përreth shkollave, që është e ndaluar me ligj.

Top Channel