Turqia, mandat arresti për klerikun Gulen

19/12/2014 00:00

Një gjykatë në Turqi ka lëshuar një mandat arresti për klerikun mysliman që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Presidenti Recep Tayyip Erdogan e akuzon për përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti, bën të ditur BBC.

Gulen, i cili jeton në ekzil të vetëimponuar në Pensilvani që prej 1999-s, është futur në një konflikt të hapur me Erdoganin që prej hetimeve për ryshfet që shënjestruan rrethin e ngushtë të tij një vit më parë, kur ai mbante postin e kryeministrit.

Erdogan fajësoi për atë hetim Gulenin, por kleriku e mohoi përfshirjen e tij në atë ngjarje. Gjykatat turke kanë mbyllur çështjen për korrupsion dhe Erdogan ka pastruar aparatin shtetëror nga mbështetësit e dyshuar të Gulenit, duke hequr nga postet e tyre mijëra oficerë policie dhe qindra gjykatës e prokurorë.

Erdogan tha gjatë prillit se do t’u kërkonte Shteteve të Bashkuara të ekstradonin Gulenin, por një gjë e tillë mund të realizohej vetëm pasi të lëshohej një mandat arresti dhe provat për krimin e kryer. Megjithatë, edhe tani që urdhër-arresti u lëshua ka pak gjasa që Amerika të realizojë ekstradimin e tij, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Më herët gjatë së premtes, një gjykatë turke la në paraburgim shefin ekzekutiv të medias pranë Gulenit dhe tre persona të tjerë, në pritje të gjyqit, me akuzat se i përkasin një grupi terrorist, në një çështje drejtësie që Erdogan e mbron si një kundërpërgjigje ndaj “operacioneve të pista” të rivalëve të tij.

Top Channel