Peshëngritje, Romela Begaj pozitive edhe në testin B antidoping. Bie titulli

19/12/2014 00:00

Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj, e cila fitoi titullin kampion bote në stilin e shkëputjes në Kazakistan, ka rezultuar pozitive edhe në testin B antidoping.

Top Channel ka siguruar konfidencialisht përgjigjet e këtij testi, në të cilin duket qartë dhe zyrtarisht se peshëngritësja shqiptare ka përdorur stanazolol. Ky lajm nuk konfirmohet nga drejtuesit e Federatës sonë të Peshëngritjes, të cilët bëjnë rolin e të paditurit, edhe pse në adresë të Federatës ka ardhur që më datë 17 dhjetor përgjigja e testit B.

Burime të sigurta të Top Channel bëjnë me dije se presidenti Gjoza dhe zv.presidenti Kulla kanë udhëtuar drejt Budapestit, për të takuar presidentin e Federatës Ndërkombëtare, Tamas Ajan. Mësohet se tema e diskutimit të tyre do të jetë konvertimi në gjobë i një pezullimi të mundshëm të Federatës sonë, e cila rrezikon seriozisht mospjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Brazil 2016”.

Ndërkohë, pavarësisht aludimeve të presidentit Gjoza për një komplot të mundshëm të Greqisë, në Komisionin Antidoping kjo federatë është përfaqësuar nga një mjek grek, profesor Aristidhis Zazakis, i cili është drejtori i Laboratorit të Toksikologjisë në Universitetin e Kretës.

Pas kësaj përgjigjeje, Romela Begaj rrezikon një pezullim 2-vjeçar nga çdo aktivitet ndërkombëtar dhe duhet të dorëzojë medaljen e marrë në Botërorin e Kazakistanit. Ndërkohë, VADA ka konfirmuar se testi B për Daniel Godellin do të bëhet më 15 janar, ndërsa për Hysen Pulakun më 13 janar.

Nëse edhe për këta peshëngritës do të vijë përgjigje pozitive, atëherë përveç sportistëve edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një pezullim të gjatë nga çdo aktivitet ndërkombëtar.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel