Topi në Fier: Duhet shtet normal, jo aleanca me reforma false

19/12/2014 00:00

Kryetari i FRD-së, Bamir Topi zhvilloi këtë të premte një takim me përkrahësit e kësaj force politike në Fier. Në fjalën e tij Topi tha se, problemet që ka Shqipëria nuk mund të kurohen me imazhin e liderëve politikë, sikurse ndodh tani me replikat që ata shkëmbejnë nëpër rrjetet sociale.

“Ka njerëz që janë tradhëtuar nga liderët e tyre politikë, të cilët sot thonë këtë gjë. Ka një verbëri të sjelljes dhe botkuptimit politik ndaj popullit, ka shumë hipokrizi mes politikës dhe njerëzve, ndaj dhe duhet t’u themi atyre të zgjohen e jo të marrin hurin”, deklaroi Topi.

Në emër të FRD, Topi shprehu mbështetjen për një sistem shtetëror normal, duke i drejtuar një apel edhe kryeministrit Rama.

“Sistemi të strukturohet fortë dhe me njerëzit e duhur. Për fat të keq korrupsioni në politikë vazhdon dhe po ashtu krijimi i monopoleve. Kemi biznese që janë rrënuar nga kjo politikë, ndërkohë që po të kishte gjykata dhe drejtësi do të ishin mbrojtur”, vijoi Topi.

Duke vlerësuar Fierin si një zonë e rëndësishme urbane e me shumë resurse, kreu i FRD-së nënvizoi se sërish qyteti është në kaos, pasi, siç tha ai, problemet nuk zgjidhen vetëm me fjalë të bukura.

“Ka konkurrencë për punësim në arsim e sektorë të tjerë, por harrojeni se këto janë të vërteta. Ato që na paraqiten janë lista të parapërgatitura. Ne inkurajojmë shtetin, por jo aleanca me reforma false”, u shpreh Topi.

Më tej ai hodhi kritika ndaj Partisë Demokratike, e cila sipas tij nuk është e denjë të përfaqësojë opozitën. “Është një opozitë mjerane. Janë njerëz që nuk kanë formimin minimal për të qenë demokratë vetë. Është një opozitë nepotike dhe e familjes që lejon pozitën të bëjë si të dojë”, tha më tej Topi.

Top Channel