Kthimi i PD në Kuvend, Fleckenstein takon Bashën: Shpresë, por ende asnjë vendim

19/12/2014 00:00

Negociatat për të rikthyer opozitën në Parlament, ku kushti kryesor i saj është dekriminalizimi i Kuvendit të Shqipërisë, janë në rrugë të mbarë. Por ende nuk mund të thuhet se Partia Demokratike do të jetë në seancën e fundit për këtë vit.

Këtë nuk e thotë dot as negociatori i së majtës euriopiane, Knut Fleckenstein, i cili është takuar paraditen e së premtes me Lulzim Bashën. Një pjesë e rëndësishme e takimit ishte kokë më kokë dhe ajo që raportuesi për Shqipërinë mund të përcillte publikisht ishte optimizmi.

“Kam patur biseda të mira me kryetarin e Parlamentit dhe me kryeministrin dje dhe me zotin Basha sot. Jam vërtet optimist se do të gjejmë një zgjidhje të mirë javën tjetër, për të sjellë të gjitha palët në Parlament”, deklaroi Fleckenstein.

I pyetur nëse PD do të jetë në Parlament javën tjetër, ai u përgjigj: “Kështu shpresoj dhe jam vërtet optimist”.

Nga ana tjetër, i pyetur a ka progres konkret që mund të çojë opozitën në Parlament më datë 24, zoti Basha nuk dha një përgjigje konkrete, por edhe i pakënaqur nuk dukej, pavarësisht se ishte i përmbajtur.

“Konkrete janë ardhja e zotit Fleckenstein, e zotit Kukan javën tjetër, interesimi i institucioneve evropiane për situatën e rëndë demokratike në Shqipëri dhe vullneti i PD për të ecur përpara për dekriminalizimin e Kuvendit dhe për vijimin e aktivitetit të tij në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjshmërisë”, deklaroi Basha.

Marrëveshja mund të jetë në formën e një rezolute parlamentare, por për këtë duhet pritur edhe vizita e përfaqësuesit të qendrës së djathtë. Deri atëherë fjala kyçe për një marrëveshje, siç e sheh opozita, është vullneti politik.

“Është vullneti politik i mbrapshtë që e solli situatën deri këtu dhe uroj që të jetë po vullneti politik që t’i japë fund kësaj situate”, tha Basha.

Sido që të shkojnë negociatat konfirmohet se vendimi i ardhshëm politik do të merret nga forumet e Partisë Demokratike, mes të cilëve është edhe grupi parlamentar, me të cilin zoti Basha do të ketë një takim menjëherë pas largimit të Eduard Kukan nga Tirana.

Top Channel