PD në Tropojë, mbështet protestën e banorëve

19/12/2014 00:00

Partia Demokratike mbështeti një protestë të banorëve të Tropojës, për të cilët është e papranueshme sjellja e qeverisë me këtë zonë.

Banorët kanë protestuar për dhunë të ushtruar nga policia, për mungesën e investimeve, për largime të padrejta nga puna, për faturat abuzive dhe për ndërprerje arbitrare të energjise.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, njësoj si banorët, thanë hapur se ky keqtrajtim nuk është rastësi, por ka sfond politik.

“Qindra familje janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike me pretekste qesharake se kanë një televizor apo një frigorifer në shtëpi. Shumë pensionistëve u është bllokuar apo hequr pensioni me arsyen se gjoja do t’u verifikohet, kur ka pensionistë që kanë dalë prej 20 vitesh në pension. Asnjë investim nuk ka në Tropojë dhe e gjej momentin t’i bëj thirrje Edi Ramës që të largojë forcat e policisë. Të merret me nevojat e Tropojës, me hallet e Tropojës sepse Tropoja është në ditët më te zeza që ka kaluar ndonjëherë”, deklaroi deputeti i PD, Besnik Dusha.

“Edi Rama nuk i ka bërë llogaritë mirë me qytetarët dhe sidomos me qytetarët e Tropojës, që po i dhunon duke i larguar nga puna dhe duke i zëvendësuar me persona me preçedentë penalë. Policia e Shtetit dhunon të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, duke i mbajtur në dhomat e izolimit vetëm për një arsye: sepse këta janë mbështetës së Partisë Demokratike”, tha Ervin Salianji, nga departamenti për të drejtat e njeriut në PD.

Top Channel