Presidenti amerikan Barack Obama është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen ndaj sulmit elektronik të Koresë së Veriut ndaj kompanisë kinematografike Sony Pictures.
Në fjalimin e fundit për vitin 2014, Obama deklaroi gjithashtu se studioja “bëri gabim” kur refuzoi të mos publikonte filmin komedi mbi vrasjen e liderit koreano-verior, Kim Jong un.
“Ne do të përgjigjemi me masa të përshtatshme, në kohën dhe me mënyrat që do të zgjedhim”, deklaroi Obama, pa saktësuar se cilat do të jenë mënyrat në fjalë.
“Ne nuk mund të kemi një shoqëri ndaj të cilës ndonjë diktator diku nëpër botë mund të vendosë çensurë ndaj Shteteve të Bashkuara”, vijoi ai.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara theksoi se është me rëndësi mbrojtja e sistemeve elektronike të sektorit publik dhe atij privat nga sulmet pirate, të cilat mund të shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike dhe sociale.
Barack Obama vuri gjithashtu në dukje bindjen e tij se Sony Pictures bëri gabim kur vendosi të mos vazhdonte me publikimin e filmit.
“Amerikanët nuk mund të ndryshojnë modelin e sjelljes së tyre për shkak të një sulmi të mundshëm terrorist. Ne nuk jemi të tillë, Amerika nuk është e tillë”, shtoi Obama.
FBI fajëson Korenë e Veriut për sulmin ndaj Sony
Më herët, Byroja Federale e Hetimeve, FBI, deklaroi se Korea e Veriut është përgjegjëse për sulmin elektronik ndaj Sony Pictures për filmin mbi liderin e saj Kim Jong un.
Agjencia ligjzbatuese bëri të ditur se analizat e kryera mbi virusin që provokoi sulmin tregonin lidhje me vendin e izoluar aziatik.
Kompania kinematografike Sony tërhoqi filmin “Intervista” pas kërcënimeve të piratëve informatikë, që më herët kishin publikuar informacione të rezervuara nga kompjuterët e saj.
Rrjeti informativ CNN citoi hakerat që mirëprisnin tërheqjen e kompanisë dhe paralajmëronin Sony-n që të mos e publikojë filmin në asnjë formë.
Mesazhet e dërguara përmes postës elektronike arritën në adresat e drejtuesve të kompanisë ditën e enjte dhe lajmi u publikua nga CNN.
Nga ana tjetër, vendimi i Sony acaroi shumë artistë. Aktori George Clooney u shpreh për portalin Deadline se filmi duhet të publikohet online.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë më herët e vlerësoi depërtimin e hakerave në kompjuterat e Sony si një çështje serioze të sigurisë kombëtare. Zëdhënësi Josh Earnes u tha mediave se administrata amerikane e kishte diskutuar ngjarjen në fjalë dhe po shqyrtonte marrjen e “masave të duhura”.
Në filmin “Intervista” aktorët James Franco dhe Seth Rogen luajnë dy gazetarë që fitojnë të drejtën për të intervistuar liderin korean Kim Jong un, por që më pas rekrutohen nga CIA për ta vrarë atë.
Top Channel