Rama në juglindje, inspekton punimet në Korçë, Pogradec e Maliq

19/12/2014 00:00

Kryeministri Rama nisi mesditën e së premtes një tur vizitash në qarkun e Korçës. Në ndalesën e parë në Pogradec, pasi pa nga afër punimet që po kryhen për projektin e rikonstruksionit të njërës prej rrugëve, kreu i qeverisë takoi edhe banorët.

Pas qytetit të Pogradecit ndalesa e radhës për Ramën ishte Maliqi, ku vizitoi një fabrikë ku mbetjet e drurit përpunohen për t’u përdorur për ngrohje, proces që cilësohet si energji e gjelbër.

“Qeveria jonë kritikohet se po bën shumë gjëra dhe po i bën shumë shpejt. Ne e kritikojmë veten se po bëjmë më pak se ç’duam dhe po i bëjmë më ngadalë se ç’duhet. Kështu që vitin e ardhshëm do japim gjithë mbështetjen e nevojshme, siç e dhamë këtë vit, në mënyrë që jo vetëm të krijojmë këtë rrjet për njëmijë familje që lidhen me punësimin këtu, por të riciklojmë gjithë këto mbeturina që deri dje mbushnin lumenjtë dhe na shkatërruan. Dhe përveç kësaj, të ulim koston e ngrohjes. Kështu që, me një ulje 40% të kostos së ngrohjes familjare, edhe faturat e energjisë paguhen më me kënaqësi. E mbi të gjitha paguani energjinë”, tha Rama me banorët.

Për mëse një orë e gjysmë kryeministri ndoqi punimet për transformimin e qendrës së qytetit të Korçës. Ai u ndal edhe pranë Kullës Paronamike, e cila ka ngjallur jo pak polemika.

“Të gjithë ata që e kanë sharë kullën e re të Korçës duhet të vijnë dhe ta shohin si objekt ku mund të shërojnë shpirtin nga gjurmët e estetikës sovietike”, u shpreh Rama.

Top Channel