Organizimi për azil në vendet e BE

20/12/2014 00:00

Gjykata e Gjilanit shqiptoi të premten masën e paraburgimit prej 30 ditësh për një serb dhe një shqiptar nën dyshimin se po ndihmojnë shqiptarët të ikin jashtë vendit.

Sipas kryetarit të gjykatës së Gjilanit, Zyhdi Haziri, këto janë dy raste të veçanta dhe bëhet fjalë për një shqiptar dhe një serb, të cilët ka ndihmuar disa qytetarë të shkojnë në serbi. Vlera a parave të kërkuara në njërin rast është 70 euro për person ndërsa në tjetrin është 450.
 
Si këto raste dyshohet se ka  më shumë, pasi braktisja e Kosovës nga qytetarët e saj është bërë një fenomen shqetësues  sidomos në dy muajt e fundit, kur u rishfaqen pamjet e tyre në autobusë, të cilët shkonin drejt Beogradit, por edhe fotografi në kampet hungareze. Edhe marrëveshja Kosovë-Serbi, e cila hapi kufijtë e Serbisë për qytetarët e Kosovës, duke ua njohur letërnjoftimet konsiderohet se ka ndikuar në migrimin ilegalë.

Rruga e tyre niset nga stacionet e qendrave të Kosovës me stacion të parë ndalese në Republikën e Serbisë për t’u takuar më pas me sekserët, të cilët ndihmojnë transportin ilegal drejt vendeve perëndimore. Bëhet fjalë për një rrjet të gjerë kontrabandistësh, i cili përfshin qytetarë shqiptarë e serbë e po kështu edhe hungarezë e turq.  
 
Qytetarët që bien pre e kësaj situate nuk ngurrojnë  të flasin për arsyet e migrimit dhe ato ndërlidhen me kushtet e vështira ekonomike, me theks të veçantë problemi i papunësisë. Këto në fakt paraqiten edhe në zyrat e migracionit pranë shteteve perëndimore. Por deri më tani aplikacionet në shumicën e rasteve janë refuzuar me arsyetimin se Kosova është listën e vendeve të sigurta.

Situata ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, i cili ka kërkuar nga institucionet t’u kushtojnë vëmendje faktorëve, të cilët nxisin migrimin ilegalë. Nga ana tjetër është konsideruar se ky proces dëmton tej mase liberalizimin e vizave për çka kosovarët janë i vetmi popull në Europë që nuk mund të lëvizë pa viza.

Top Channel