Rikthehen sulmet ajrore në Gaza

20/12/2014 00:00

Pas rreth 4 muajsh “paqeje” Izraeli ka rinisur bombardimet mbi Gaza, sulmi i parë që prej arritjes së armëpushimit në muajin gusht.

Ushtria izraelite ka bërë të ditur se sulmi ka pasur si synim goditjen e objektivave të Hamasit, si kundërpërgjigje ndaj një rakete të lëshuar më herët gjatë ditës së premte nga Gaza.

Banorët e zonës Khan Yunis në Gaza raportuan se kanë dëgjuar dy shpërthime, raporton “Associated Press”. Armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe përfaqësuesve të Hamasit i dha fund 7 javëve luftimi që i morën jetën më shumë se 2200 njerëzve, shumica prej të cilëve palestinezë.

Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë gjykata e përgjithshme e Drejtësisë e Bashkimit Europian ka anuluar vendimin e bllokut për ta mbajtur Hamasin në listën e grupeve terroriste.

Sipas gjykatës, lëvizja e BE-së nuk mbështetej në shqyrtimin e veprimeve të lëvizjes islamike, por në fajësimin e kësaj të fundit në bazë të informacioneve të marra nga shtypi dhe interneti.

Top Channel