Një tjetër i arrestuar nga banda e “Babagjyshëve”

20/12/2014 00:00

Policia e Kurbinit arrestoi shtetasin Edmond Selala, i shpallur në
kërkim nga drejtësia si i dyshuar për një seri grabitjesh të armatosura.

Selala dyshohet si pjesë e bandës prej tetë anëtarësh të njohur si “Babagjyshët”, të cilët vitin e kaluar grabitën me armë një argjendari në një qendër tregtare të Tiranës. Policia thotë se ka prova të pakundërshtueshme që lidhin këtë bandë edhe me një sërë grabitjesh të tjera në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi.

Banda dyshohet se drejtohej nga Ilir Kupa, aktualisht i dënuar me 5 vjet burgim dhe që do t’i presë akuzat për grup të strukturuar kriminal nga burgu. Bashkëpunëtorët e tij,  që të gjithë të rinj me të shkuar të pasur kriminale nuk kanë qenë aspak surprizë as për policinë dhe as për prokurorinë.

Kjo pasi ata prej muajsh po gjurmoheshin e survejoheshin në bazë të një serie dosjesh të pazbardhura, ku më të rëndat janë grabitjet me maska të 5 argjendarive, jo vetëm në qytete të ndryshme të vendit, por edhe në Maqedoni.

E ndërsa grupi prej 8 anëtarësh e mori emrin “babagjyshët” për shkak të grabitjes 200 mijë euroshe në një qendër tregtare në Tiranë, duket se maska të tjera prisnin të visheshin prej tyre për ngjarjet e radhës.

Burimet thanë se Agustin Sula, i kapur në Tiranë, ka deklaruar se ai është njëri nga ‘babagjyshët’, rrëfim i cili me sa duket është tepër i vonuar për të, pasi provat janë të pakundërshtueshme ndaj tyre.

“Agustin Sula, 25 vjeç, banues në Durrës, i  dënuar më parë me 23 vjet heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me armë me pasojë plagosjen e dy shtetasve në Durrës si dhe i dënuar në Greqi për vjedhje me armë. Hajdar   Sefa,  30 vjeç,  banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shëndetit. Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit, Ilir Kupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal. Janë shpallur në kërkim pjesëtarët e tjerë të grupit  kriminal , të cilët janë banues në Tiranë, Shkodër, Kurbin dhe njëri në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më pare për vjedhje”, deklaroi nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato.

Njëri nga anëtarët e grupit, i quajtur Miljan Elezi apo Artur Tafani, deklarohet se është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit në një grabitje tjetër të gati 18 kg flori në Dibër të Madhe, ndërkohë që më herët  është arrestuar nga policia Julian Qerushi, edhe ky i dënuar për vjedhje.

Top Channel