Arrestohet “Messi i Shqipërisë”, trafikonte deri në 200 kg kokainë në Europë

20/12/2014 00:00

Pas dy muajsh hetime intensive dhe përgjime, policia italiane në
bashkëpunim me atë belge dhe holandeze prangosën shtetasin shqiptar Bledar Pajana,
i vlerësuar si një ndër trafikantët më të mëdhenj të kokainës në Europë.

Sipas mediave italiane, shqiptari Pajana prej vitesh drejtonte një grup shpërndarje lëndësh narkotike dhe arrinte të fuste në muaj deri në 200 kilogram kokainë nga Amerika Jugore.

Droga kalohej përmes Lisbonës e Madridit për të përfunduar në Italinë e Veriut, në zonën e Breshias, ku shqiptari kishte bazën e tij. Nga këtu shpërndahej më pas edhe në vendet e tjera të Europës Veriore.

Pajana, i quajtur edhe si “Messi i Shqipërisë”, për shkak të ngjashmërisë fizike me asin argjentinas të futbollit qarkullonte miliona euro në muaj.

Ai u arrestua në aeroportin e Eindhovenit në Holandë, ku ishte larguar që prej muajit tetor, kur në prangat e policisë italiane ranë me nga 20 kilogram kokainë dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Top Channel