Hapet me kufizime rruga Tiranë-Elbasan

20/12/2014 00:00

Është hapur pasditen e së shtunës, në mënyrë të kontrolluar, qarkullimi në kilometrin e 11 në Ibë, i cili ishte bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dherave në segmentin ku po punohet për autostradën Tiranë-Elbasan.

Për momentin lejohet kalimi në një drejtim dhe vetëm për automjetet tip veturë dhe ato 3.5-tonëshe. Ndërsa patrullat policore alternojnë kalimin e udhëtarëve.

Më herët gjatë ditës ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto inspektoi punimet që po kryhen në zonën ku ndodhi rrëshqitja e tokës, prej nga njoftoi dhe hapjen e rrugës.

“Kemi marrë vendimin që të hapet trafiku në mënyrë të kontrolluar që do të thotë që do të mbikqyrët nëpërmjet drejtuesve përkatës të trafikut, duke vendosur herë njërin krah, herë tjetrin të qarkullimit”, deklaroi Haxhinasto.

Haxhinasto tha se grupet e punës janë duke parë mundësinë zhvendosjes së linjës elektrike në mënyrë që të mos mungojë energjia për banorët e zonës.

“Deri më sot është parë, është studiuar zona e rrëshkitjes. Pritet një vlerësim përfundimtar për përmasën gjë që do të përcaktojë mënyrën e ndërhyrjes për ta përballuar dhe për të dhënë gjithë garancitë që rrëshkitja nuk do të vazhdojë të kompromentojë veprën e rëndësishme që është ky segment rrugor në autostradën Tiranë-Elbasan”, vijoi ai.

Rrëshqitja e dheut ndodhi të shtunën në 13 dhjetor për të cilën banorët thonë se shkak i saj janë shpërthimet e bëra nga kompania e kontraktuar për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

Top Channel