Totozani: Nevojitet një ligj kuadër për minoritetet

20/12/2014 00:00

Avokati i Popullit kërkon që të hartohet një kuadër ligjor për të pasur një panoramë të qartë  të minoriteteve në vendin tonë, i cili më pas do t’u krijonte atyre akses më të madh në arsim, shëndetësi, punësim e të tjera.

Në një raport të përgatitur nga ky institucion nga përgjigje të popullatës minoritare që jeton në Shqipëri rezulton se për ta ka një barazi formale krahasuar me pjesën tjetër të shoqërisë.

“Përveç barazisë formale, nevojitet që në shumë drejtime të kemi edhe një barazi thelbësore të qytetarëve minoritarë me qytetarët e tjerë të popullsisë. Lind nevoja për të patur një ligj kuadër për minoritetet. Mungon një ligj i tillë për të patur një panoramë më të qartë se cilat janë minoritetet në Shqipëri, minoritetet etnike, minoritetet gjuhësore e të tjera. Do të ndihmonte shumë edhe në politikat e tjera të shtetit që kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë, pjesëmarrjen e tyre në jetën politike, mësimin e gjuhës. Janë një sërë problematikash që një ligj i tillë do të duhet të trajtojë”, deklaron Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Në rekomandimet e Avokatit të Popullit theksohet ratifikimi i Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare  dhe regjistrimin e tyre, marrjen e masave për zgjerimin e mundësive për edukimin dhe mësimine gjuhëve minoritare, promovimin e identiteit dhe zhvilimin e kulturës së tyre.

Ky draft-raport prezantua në një konferencë në prani të shoqërisë civile,  zv.Ambasadorit të OSBE e organizmave të tjerë ndërkombëtare.

Top Channel