PD denoncon skemën e shpërblimeve. PS: Bëmë më të mirën e mundshme

20/12/2014 00:00

Partia Demokratike përmes deputetes Jorida Tabaku denoncoi të shtunën skemën e qeverisë për shpërblimet e fundvitit, duke e cilësuar atë një “kothere” të ndarë sipas interesave të kryeministrit.

“Kryeministri e ka shndërruar në lëmoshë shpërblimin e djeshëm të pensionistëve dhe në kothere shpërblimi nga fondi i veçantë për administratën nga pagat e tyre. Shuma prej 1.1 miliard lekësh është rialokuar nga zëri i buxhetit për shtresat në nevojë dhe po përdoret për shpërblimet e fundvitit. E sikur të mos mjaftonte kjo, arnimi i shpërblimit këtë vit ka vazhduar kalimin e 700 milionë lekëve nga fondi i kontigjencës në atë të shpërblimeve. Duke qenë kështu e para mazhorancë që përdor fondin në fjalë si mbushje për shpenzimet”, deklaroi Tabaku.

Por në reagimin e saj, PS argumentoi se skema në fjalë ishte më e mira e mundshme, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ku PD e la vendin pasi u largua nga pushteti.

“Sigurisht që pas 8 vitesh qeverisje të papërgjegjshme të PD, që e zhyti vendin në papunësi, varfëri e borxhe, shpërblimi i fundvitit do t’i vinte përmbarë çdo familjeje. Por jo çdo dëshirë është e mundur, ndaj qeveria e re po bën më të mirën e mundshme. Skema e qeverisë shpërblen ata që janë në nevojë dhe promovon më të mirët. Ende ka shumë për të bërë pasi lista e problemeve e lënë nga PD pas 8 vjet qeverisje është tejet e gjatë”, deklaroi deputeti Ervin Bushati.

Top Channel