PD, sërish akuza për kompaninë EAG. Veliaj: PD, fushatë përbaltjeje

20/12/2014 00:00

Nga selia e Partisë Demokratike, deputetja Albana Vokshi vijoi akuzat për ministrin Erjon Veliaj. Sipas saj, drejtoresha e ministrit ka detyruar specialisten që të firmosë proçedurën joligjore me kompanine EAG.

“Shefja e Drejtorisë për mbrojtjen e fëmijëve që varet nga Veliaj i ka kaluar 25 milionë lekë firmës me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur dhe produkti ekzistonte. Thjesht duheshin sajuar letrat që EAG të merrte 25 milionë lekë. Specialistja e prokurimit, Luiza Gjonaj kundërshtoi drejtoreshën, por Ina Verzivolli insistoi dhe e shantazhoi me largim nga puna zonjën Gjonaj nëse nuk do të firmoste”, deklaroi Vokshi.

Por Ministria e Mirëqënies Sociale reagoi duke thënë se, PD ka nisur një fushatë përbaltjeje. SIpas reagimit të kësaj ministrie, shqetësimi i Partisë Demokratike nuk ka të bëjë me gjërat që prekin dhe duan qytetarët, por me një shqetësim të vetëm:

“Kompania e Lulzim Bashës dhe e kunatit të tij, Erjon Isufi, nuk gëzon më monopolin 100% të të gjitha aktiviteteve publike, ashtu siç bente deri një vit më parë”.

“Në kaq javë PD ka përfolur mbi 5 kompani, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me MMSR”, thotë njoftimi i ministrisë së drejtuar nga Erjon Veliaj.

“Në pamundësi për të dhënë një alternativë të tyre, demokratët janë rreshtuar sot të mbrojnë monopolin e kunatit të Bashës, si bankomat i luksit të SHQUP-it”, vijon njoftimi zyrtar.

Dikasteri në fjalë fton PD që nëse ka prova për pretendimet e saj të shkojë në prokurori. “Ftojmë prokurinë të hetojë çdo shpifje e akuzë. Kjo është e vetmja mënyrë serioze për t’u përballur me industrinë e baltës”, përfundon reagimi.

Ndërkohë në një tjetër aktivitet, Ervin Salianji mbështeti në Lushnje protestën e banorëve të cilëve u janë prishur ndërtimet, që sipas opozitës janë selektive dhe pa transparencë.

“Ju prishen banesat pa njoftim, pa shkresë pavarësisht se kanë çertifikatën e pronësisë. Qeveria u thotë se do t’ua prishë me shpërblime qesharake”, deklaroi Salianji.

Krahas banesave, tha PD, janë duke u shkatërruar edhe mjaft biznese që punësojnë me dhjetëra banorë të zonës. Sipas kryetarit të PD-së në Lushnjë, janë 723 familje që preken nga shembjet e ndërtimeve në këtë rreth.

Top Channel