Obama: Krijuam 11 mln vende pune, po luftojmë ISIS, Ebolën dhe agresionin Rus

20/12/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama mbajti konferencën vjetore për shtyp duke bërë kështu edhe bilancin për vitin 2014 që tashmë po lëmë pas.

“Ju kisha thënë se 2014-a do të jetë vit i veprimit dhe një vit i zbulimit të madh për Amerikën. Dhe kështu ndodhi. Ne krijuam 11 milionë vende të reja pune. Hapat që ne morëm së bashku shpëtuan ekonominë tonë dhe rindërtuan themelet e saj duke e bërë vitin 2014 një vit frytdhënës. Investimet tona e kthyen Amerikën në një prodhues të madh të naftës dhe gazit natyror”, deklaroi Obama.

Nuk munguan as komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë për politikën e jashtme që SHBA ka ndjekur përgjatë vitit të fundit.

“SHBA po udhëheqin luftën kundër ISIS, misionin kundër shpërthimit të Ebolës në Afrikën Perëndimore dhe atë kundër agresionit rus. Kjo nuk është pak. Ne jemi duke bërë përpjekjet më të mëdha për të balancuar ndryshimin e klimës. Madje jemi edhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi me Kinën dhe Kubën, vende me të cilat deri dje ishin krijuar barriera të mëdha komunikimi”, theksoi Obama.

Ndërsa kur u pyet nga gazetarët e pranishëm në sallë, sesi do ta përshkruante vitin 2014 me pak fjalë, presidenti u shpreh:

“Një vit me shumë vende pune, me shumë njerëz të siguruar, me një ekonomi në rritje, me nje defiçit të ulët, me një industri plot jetë dhe energji. Pra, rigjallërimi i Amerikës është i vërtetë”, shtoi Obama.

Top Channel