Kakavijë, ndalohen 88 klandestinë. Po tentonin të arrinin Greqinë

20/12/2014 00:00

Policia kufitare në Kakavijë dhe forcat Delta kanë zhvilluar në 24 orët e fundit një seri operacionesh kundër emigracionit klandestin, duke ndaluar disa dhjetëra refugjatë.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se në këtë hark kohor janë kapur dy grupe klandestinësh, që në tërësi kanë 88 persona.

Sipas burimeve, nga marrja në pyetje e të ndaluarve ka rezultuar se njëri prej grupeve përbëhet nga emigrantë nga Siria dhe tjetri me emigrantë nga Sudani.

Burimet saktësojnë më tej se njëri prej grupeve, me 41 persona, u ndalua në afërsi të Mullirit, poshtë pikës së kalimit të Kakavijës. Ata kishin si destinacion shtetin grek.

Top Channel