Rama tur në juglindje, inspektim shkollave dhe investimeve të reja

20/12/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte në Korçë, ku ka nisur jetësimin projektit ‘Shkolla, qendër komunitare’, që konsiston në rimodelimin e këndeve sportive të 4 shkollave të këtij qyteti.

I shoqëruar nga ministrja Lindita Nikolla, zëvendës kryeministri Niko Peleshi dhe drejtues vendorë, kryeministri inspektoi punimet në godinën e re të shkollës ‘Mësonjëtorja e Parë’ dhe “Raqi Qirinxhi”.

Por për kryeministrin Rama, investimet në dije nuk janë vetëm muret e shkollave, blerja e kompjuiterave apo vendosja e tyre në laboratorë. Në ‘Forumin Qytetar’, ku ishin të pranishëm mësues, nxënës, studentë dhe qytetarë të thjeshtë, Rama e vuri theksin tek nevoja që ka arsimi për më shumë cilësi.

“Vitin e ardhshëm ne do bëjmë testimin e të gjithë mësuesve të sistemit. Do ta nisim në janar largimin e atyre që sistemi nuk i pranon pasi nuk i përgjigjen profilit dhe standardeve dhe në vend të tyre do futen ata që u testuan”, deklaroi Rama.

Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për të çuar përpara reformën në arsim, pavarësisht se kjo mund të ketë një kosto elektorale. Por ashtu, si në arsim, kryeministri nënvizoi mbështetjen për më të mirët edhe në sipërmarrje.

Gjatë një vizite në një fabrikë të përpunimit të mishit në Boboshticë, kryeministri u kërkoi sipërmarrësve të orientojnë kapitalet e tyre në fshat.

“Unë u bëj thirrje edhe sipërmarrësve në qytet, që kanë akumuluar kapital, të kthejnë sytë nga fshati. Ne kemi disa shembuj, por duam të kemi më shumë”, deklaroi Rama.

Ndalesa e radhës e kryeministrit ishte në një tjetër fabrikë bashkëkohore e mishit në Bulgarec, që kryen cikël të mbyllur në treg e që ka përfituar mbështetje nga AZHBR.

“Presim që në 3 vitet e ardhshme të kemi një bum punësimi real, që do të thotë një zhvillim për gjithë Shqipërinë rurale”, u premtoi Rama përfaqësuesve të bizneseve.

Gjatë qëndrimit në Korcë kryeministri vizitoi edhe muzeun e mesjetës së Korçës, që ka nisur të ndërtohet për të pasqyruar një pjesë të historisë së qytetit dhe në një prej shesheve që po rikualifikohen në qytet e ku gjendet Kulla e Korçës, një tjetër atraksion për vizitorët.

Top Channel