Kryebashkiaku: Ekzekutim i pastër

21/12/2014 00:00

Për kryebashkiakun e New York-ut, Bill de Blasio, vrasja e dy efektivëve të policisë nga një person i armatosur që më pas qëlloi dhe veten, ishte ekzekutim i pastër.

“Ne varemi nga policia për të na mbrojtur kundër forcave kriminale, kundër së keqes. Ajo është një nga themelet e shoqërisë sonë dhe çdo herë që sulmohet një pjesëtar i saj, kemi të bëjmë me një sulm kundër njerëzores”, tha De Blasio ndërsa ngushëllonte familjet e të vrarëve e nderonte figurën e tyre.

Por, fjalimi i tij emocional nuk mjaftoi për të shuar pakënaqësinë e efektivëve në sallë që i kthyen shpinën kryetarit të Bashkisë.

“Ka shumë duar të lyera me gjak këtu sonte”, deklaroi presidenti i Sindikatës së Policëve të New York-ut, Patrick Lynch.

“Ata që nxitën dhunën në këto rrugë nën maskën e protestave, janë përpjekur ta shkatërrojnë punën që policët e këtij qyteti bëjnë ditë pas dite”, ishin fjalët e Lynch.

“Ne u përpoqëm të paralajmëronim se një gjë e tillë nuk mund të tolerohet, por nuk na dëgjoi kush”, shtoi ai.

Dy efektivët, Rafael Ramos dhe Wenjian Liu, u qëlluan për vdekje brenda makinës së tyre të patrullimit. Agresori, Ismaaiyl Brinsley, hapi zjarr papritur pa i lënë kohë as të nxirrnin armët. Përpara kësaj, 28-vjeçari kishte plagosur ish të dashurën e vet e kishte postuar edhe mesazhe kundër forcave të rendit në rrjetet sociale.

Brinsley ishte me ngjyrë, ndërsa dy efektivët e vrarë ishin njëri aziatik dhe tjetri hispanik.

Në fillim të muajit, një juri e madhe në Shtetet e Bashkuara vendosi mosngritjen e një aktpadie ndaj policit njujorkez që mbyti 40-vjeçarin Eric Garner, ndërsa një tjetër juri në muajin nëntor rrëzoi akuzat ndaj një oficeri të bardhë, i cili qëlloi për vdekje 18-vjeçarin e paarmatosur afro-amerikan Michael Broën në Ferguson të Misurit.

Të dyja këto ngjarje shkaktuan indinjatë të madhe sidomos në radhet e komunetit me ngjyrë dhe sollën një valë protestash në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel