PD-ja denoncon prishjen e ndërtimeve në Hudënisht

21/12/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi si të paligjshme dhe arbitrare veprimet e autoriteteve qendrore dhe lokale për prishjen e 53 ndërtimeve të ligjshme në komunën Hudënisht.

Sipas PD-së, veprimet janë bërë pas një marreveshjeje të kryetarit socialist të komunës dhe autoriteteve në Tiranë për shpronësimin e këtyre familjeve. Në dokumentat që paraqiti Partia Demokratike pretendohet se prishja e ndërtimeve për llogari të projektit për rehabilitimin e zonës së liqenit është bërë në shkelje flagrante të ligjit për shpronësimet.

Pas protestave të banorëve, edhe kryetari i komunës është tërhequr nga qëndrimi i parë për prishjen e ndërtimeve dhe i ka çuar kryeministrit Edi Rama një letër që e bëri publike Partia Demokratike.

Kjo është letra e kryetarit të Komunës Udënisht, përfaqësues i PS-së,  që i dërgon kryeministrit: “Unë, Kryetar i Komunës Hudënisht, me tagrin ligjor që më jep ky pozicion si përfaqësues i Komunës Hudënisht, si person juridik dhe si përfaqësues i komunitetit, kërkoj të ndalohen shpronësimet me justifikimin e interesit publik, pasi po dëmtohet dhe po shkatërrohet prona private e këtyre njerëzve të ndershëm dhe po hidhen në mes të rrugës në kushte çnjerëzore familje të tëra. Ky shpronësim është shkatërrues për ekonominë e këtij komuniteti dhe hap një plagë sociale të pariparueshme. Unë e vendos veten time si person, po ashtu edhe si përfaqësues i Komunës Hudënisht, krahas këtyre banorëve dhe kundër shpronësimit dhe shkatërrimit të pronës private”.

Duke i kërkuar Prokurorisë të nisë hetimin për këtë që e quan shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit për shpronësimet, Partia Demokratike bëri kërkesa konkrete edhe në adresë të qeverisë.

Kryeministrit i propozojmë të ndërmarrë dy veprime:

1. Të ndërpresë procesin e jashtëligjshëm të iniciuar nga autoritetet shtetërore, të cilat po terrorizojnë prej dy javësh 53 familje dhe biznese me prishjen e pronave të tyre të ligjshme, në emër të të ashtuquajturit projekt “Për Rehabilitimin e bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimit përgjatë segmentit Lin-Pogradec” që thuhet se është iniciativë e Komunës Hudenisht dhe ta fusë atë në binarët e ligjshmërisë sikurse kërkojnë banorët e zonës.

2. Për të treguar qoftë edhe pak dinjitet nga shteti që ai drejton, të shkarkojë zëvëndësministrin e Ministrisë së Turizmit, Kryetarin e Komunës Hudënisht dhe Drejtorin e INUK-ut Korçë si iniciuesit dhe zbatuesit e përpjekjeve për shkatërrimin e paligjshëm të banesave dhe pronave të 53 familjeve dhe bizneseve në Komunën Hudenisht.

Top Channel