Francë, policia vret burrin që thërriste “Allahu Akbar”

21/12/2014 00:00

Policët francezë qëlluan për vdekje një burrë që thërriste “Allahu Akbar” (Zoti është i madh) e kishte plagosur me thikë tre efektivë në një komisariat të qytetit Tours, në qendër të vendit.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, sqaroi se personi i vrarë ishte ekstremisht i dhunshëm. Sipas tij, bëhet fjalë për një shtetas francez të lindur në Burundi, i cili kishte dosje penale e njihej për shkelje të ndryshme, por jo për aktivitet terrorist.

Situata e tij nuk ndiqej juridikisht, pranoi ministri, dhe personi në fjalë nuk ka qenë nën mbikqyrje të veçantë prej shërbimit të inteligjencës. Por, pas incidentit në stacionin e policisë, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Paris ka nisur një hetim për komplot kriminal të lidhur me një organizatë terroriste.

Një person që sulmon komisariatin me thirrjet “Allahu Akbar” sigurisht që ngre pyetje nëse ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë, thanë burime pranë kësaj zyre.

Tre policët e plagosur janë dërguar me urgjencë në spital e sipas raporteve në media, janë jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel