Misteri i paktit PD-PS për krizën, “misionari” Kukan në Tiranë

21/12/2014 00:00

Kur mbeten vetëm 3 ditë nga seanca e fundit e Kuvendit për këtë vit, paqartësia në Tiranë për një marrëveshje eventuale mes mazhorancës dhe opozitës është mbizotëruese.

I vetmi zë optimist, por pa asgjë konkrete publike, është ai i Knut Flekenshtajnit, raporteri për Shqipërinë dhe përfaqësuesi i të majtës europiane në negociatat mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Palët po diskutojnë për formën sesi do të kryhet marrëveshja që ajo të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme. Ndërkohë që është rënë paraprakisht dakord në nivelet më përfaqësuese të së majtës dhe të djathtës europiane se 3 çështjet që duhet të marrin zgjidhje me negociatat janë e drejta e opozitës për të ushtruar kontrollin parlamentar nëpërmjet komisioneve hetimore, e drejta e fjalës dhe pika më e rëndësishme, që ka marre të gjithë vëmendjen, është dekriminalizimi i parlamentit.

Se si do të arrihet kjo është ende në diskutim: me një deklaratë të firmosur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, me deklaratë mes kryetarëve të grupeve parlamentare apo me një rezolutë parlamentare, ku në çdo rast të përfshihet garancia europiane për zbatimin e marrëveshjes që do të rikthejë opozitën në Parlament.

Eduard Kukan, përfaqësues i qendrës së djathtë europiane, por edhe një njohës shumë i mirë i politikës në Shqipëri, takohet paraditen e së hënës me të tre aktorët kryesorë, që sipas axhendës janë Lulzim Basha, Edi Rama dhe Ilir Meta. E hëna është një ditë e rëndësishme politike sepse gjatë drekës pritet edhe një mbledhje e deputetëve të opozitës, që në varësi të zhvillimeve të paradites do të përcaktohet edhe linja e cila do të ndiqet nga opozita, një vazhdimësi jashtë Parlamentit apo rikthim në Parlament me të gjitha kushtet e përmbushura.
 

Top Channel