MB: Kënga e kukuvajkës së PD, përpjekje pro paligjshmërisë së 8 vite”

21/12/2014 00:00

Edhe njëherë pas deklaratave të Partisë Demokratike lidhur me punën e Policisë së Shtetit, ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila me anë të një njoftimi për shtyp shprehet se Policia e Shtetit është rikthyer në krye të detyrës, e vendosur të mos tolerojë asnjë shkelje të paligjshmërisë në vend dhe të godasë me forcën e ligjit krimin e kriminelët si dhe të rrisë standardet e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme, performaca e Policisë së Shtetit është rritur gjatë vitit 2014.

“Garantimi i jetës dhe pronës së qytetarëve ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i punës së Policisë së Shtetit. Ky angazhim i palëkundur i Policisë së Shtetit, që po jep efekte të dukshme në rikthimin e shtetit ligjor në vend, duket se u ka prishur humorin atyre që deri dje në qeverisje e zhytën vendin në këtë kaos të pashembullt. Kënga e kukuvajkës që ata këndojnë sot është vetëm një përpjekje e dëshpëruar për të mbrojtur paligjshmërinë që ngritën vetë gjatë 8 viteve të qeverisjes”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Në fund, ky institucion siguron opinionin publik se koha e kaosit ligjor dhe të paprekshmëve ka përfunduar një herë e mirë.

Top Channel