Duka bën bilancin e futbollit, Kombëtarja, Superliga, derbi dhe stadiumi “Loro Boriçit”

21/12/2014 00:00

Në mbyllje të vitit 2014-të, siç është bërë traditë tashmë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka bën një bilanc të futbollit shqiptar, sipas të cilit, në të gjitha këndvështrimet, nga përfaqësuesja tek kampionati vendas ka një zhvillim pozitiv.

Padyshim që ndeshja e Beogradit më 14 tetor ka qenë ngjarja historike edhe pse negative, jo vetëm për ne, por për të gjithë futbollin europian e botëror, një ngjarje që u pasua gjithashtu nga vendime të padrejta për ne të UEFA-s me komisionet e saj.

Pavarësisht kësaj, marrëdhëniet tona me organizatën më të madhe të futbollit europian UEFA, sipas Dukës, mbeten tejet pozitive: “Ne jemi një federatë e vogël që kemi bërë projekte nëpërmjet UEFA-s apo FIFA-s. Kemi ndryshuar infrastrukturën sportive. Duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha investimet që janë bërë në infrastrukturën futbollistike nga viti 2000 e këtej, të cilat janë mbi 20 milionë euro. Thuajse këto janë të vetmet sepse në 2014-ën kemi edhe investim të qeverisë shqiptare në stadiumin e Elbasanit. Raportet vazhdojnë të njëjtat, por kur vjen puna për rezultate te kombëtares synohet të merret maksimumi dhe ne kërkojmë të marrim maksimalen, por duke mos cënuar marrëdhëniet korrekte me institucionet”.

Ecuria e përfaqësueses, vazhdimi i eliminatoreve

Kreu i FSHF-së e ka vlerësuar si tepër të rëndësishme ndeshjen ndaj Armenisë për ecurinë e mëtejshme të kombëtares shqiptare në këto eliminatore.

“Për ne janë shumë të rëndësishme pikët e Armenisë, pavarësisht se çfarë do të ndodhi me pikët e Serbisë. Nëse ne nuk fitojmë me Armeninë rruga jonë është shumë e vështirë. Grupi është shumë i vështirë, me ekipe shumë të mira, siç fituam në Portugali mund të humbim edhe në Shqipëri. Por nëse ne do të fitonim ndaj Armenisë do të ishte një hap i rëndësishëm, por jo se do të na siguronte kualifikimin. Fitorja me Armeninë dhe 3-pikëshi me Serbinë na garanton të paktën vendin e tretë”.

Rikthimi i vëmendjes në futbollin shqiptar

Ndërkohë që kampionati shqiptar, sipas Dukës është kthyer në qendër të diskutimeve si rrallë herë, kjo tregon një përmirësim të nivelit.

“Ka qenë më i pranishëm në jetën shqiptare diskutimi për kampionatin shqiptar, se për Kombëtaren nuk ka munguar asnjëherë, i cili u finalizua me një derbi shumë të mirë nga të gjitha këndvështrimet. Na ishte kthyer në derbi Skënderbeu-Flamurtari sepse mungonin ekipet e kryeqytetit. Rikthimi i Partizanit pas shumë peripecish: në Kategorinë e Dytë, në prag falimenti, apo rikthimi i Tiranës në garë pas një kampionati ku luftoi për mbijetesë. Këto kanë rikthyer jo vetëm grupet e tifozëve apo “ekstremistëve”, por na ka rikthyer një ambient të këndshëm. Kemi qenë dëshmitarë të ambientit të krijuar në Tiranë, ku diskutimet në javën e derbit zunë vend kryesor në mediat elektronike, kështu që na ka kthyer në qendër të vëmendjes”.

Partizani-Tirana të “përkëdhelurat” e Federatës?!

Derbi i fundit Partizani-Tirana ishte si një reklamë e denjë e kampionatit shqiptarë dhe presidenti Duka ka qenë ndër iniciatorët e lejimit të tifozëve të Tiranës, duke gjetur interpretimin e duhur të rregullores, për të mos e konsideruar shkelje.

“Ne kemi kontribuuar maksimalisht për të gjitha klubet në Shqipëri sepse në fund të fundit FSHF është një trup i zgjedhur për të përfaqësuar ata. Patjetër që Partizani dhe Tirana kanë pasur kontributet e tyre dhe ne kemi bërë maksimumin që Partizani të mos zhdukej. Ne kemi shkuar deri aty sa kemi financuar edhe uniformat apo edhe autobusët e Partizanit, në mënyrë që të mos shkrihej. Unë mendoj që kemi bërë mirë dhe në fund të fundit kjo është detyra jonë, por të njëjtën gjë nuk është se nuk e bëjmë dhe për të gjitha klubet e tjera. Për sa i përket vendimit për derbin, tifozët e Tiranës ishin të dënuar për ndeshjet udhëtuese. Vërtet ka pasur një lloj interpretimi, vërtet dikush mund të ketë të drejta juridike, por në fund nuk ka të drejta morale sepse u bë më e mira për futbollin dhe këtë e pranojnë të gjithë. Dhe nëse ka ndonjë gjë për t’u interpretuar juridikisht, rregullat nuk janë shkelur, unë e mbyll këtu. Deri sa është bërë mirë për futbollin, u bë mirë për FSHF, për spektatorët tanë, për lojtarët tanë edhe për të dyja ekipet”,

Familja “Duka” derbi Partizani-Vllaznia!

“Nuk kam qenë tifoz as me Partizanin dhe as me Tiranën, kam qenë tifoz me Vllazninë. Babai im është tifoz me Partizanin. Atë ditë kur jam kthyer në shtëpi, për penalltinë që u dha në favor të Partizanit, i thashë më duket se nuk ishte?! Babai im tha: Jo vetëm penallti, por ishte edhe karton i kuq”.

Superliga e fortë
Apolonia modeli që duhet ndjekur, jo Skënderbeu!

Duke folur për organizimin e klubeve, Armand Duka ka vlerësuar Apoloninë e Fierit për mënyrën e organizimit të klubit, duke i dhënë një mbështetje të madhe ekipeve zinxhir dhe terreneve sportive.

“Pa filluar kampionati ishin 5 pretendente në letër edhe Flamurtari, por futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe tashmë Flamurtari është disi i shkëputur. Klubet janë organizuar shumë më mirë se më parë. Përgatitja ka qenë më e mirë para kampionatit, gjithashtu edhe merkato ka qenë më e mirë, prandaj kanë dhuruar më shumë në fushën e lojës. Gjithsesi mbetet shumë për të bërë, pasi ndonjëherë klubi mund të jetë i organizuar mirë, por objektivat e tij nuk janë tituj, por prodhimi i futbollistëve dhe menaxhimi më i mirë. Pavarësisht nëse ndodhet e fundit apo e parafundit, Apolonia e Fierit është një klub i organizuar shumë mirë, nga të gjitha këndvështrimet. Vërtet Skënderbeu është 4 herë kampion radhazi, por nuk e di çfarë bëhet me ekipin e moshave dhe besoj që kjo gjë nuk e çon larg. Titujt vërtet shkruhen në histori, por duhet edhe vazhdimësi dhe ta kesh atë nevojitet një klub i mirë organizuar. Sot futbolli fillohet që 6 vjeç dhe duhet të krijosh ekipe edhe të kësaj moshe për të siguruar të ardhmen. Futbolli ka ndryshuar shumë, por unë jam kritik me mënyrën se si kemi arritur deri këtu. Drejtuesit e klubeve shqiptare më mirë të heqin diçka nga një futbollist dhe këtë investim ta hedhin në administratë dhe në futbollin e fëmijëve”.

“Qemal Stafa” me tapet të ri
“Loro Boriçi” 9 mln euro, për 18 mijë vende 

Sa i përket investimeve, pas premtimi të Kryeministrit Rama për stadiumin e Shkodrës, presidenti i FSHF-së, paralelisht jep lajmin e fillimeve të punimeve në “Qemal Stafa” për ndryshimin e tapetit, që me rikthimin e kampionatit në fund të janarit, gjithçka të jetë gati në kushte të tjera.

“Për sa i përket asaj çka ofron impianti, duke mos lejuar zhvillimin e një ndeshje normale në kryeqytet, ne kemi menduar që gjatë periudhës së pushimit të ndërrojmë fushën e “Qemal Stafës” dhe në fazën tjetër të kampionatit të luajmë në një fushë të re. Zëvendësimi nuk ndodhi gjatë periudhës së verës, pasi ne menduam që do ta prishnim stadiumin dhe gjatë kësaj kohe do të luhej në Elbasan. Gjithsesi, për 6 muaj apo edhe 3 muaj, mungesa e infrastrukturës që ka Tirana na detyron që ta rikonstruktojmë atë fushë. Ne tashmë kemi bërë kontratën me projektuesin e stadiumit “Loro Boriçi”. Projekti përfshin shembjen e tribunës dhe ndërtimin e shkallëve pas portave dhe rikontruksionin e pjesës aktuale. Preventivi i studios është 9 milionë euro”.

“Nuk jam në garë për Bashkinë e Durrësit, preferoj ende futbollin, por kurrë mos thuaj kurrë!”

Ndërkohë viti 2015-të është vit elektoral, pasi do të mbahen zgjedhjet lokale dhe emri i presidentit të FSHF-së, Armand Duka është lakuar nën zë si një kandidat për bashkinë e Durrësit, gjë të cilën ai e mohon, por një shteg të hapur e lë, pasi thekson se po të ishte ai kryetar bashkie, Teuta do të rikthehej në elitën e futbollit.

“Nuk ka asgjë të vërtetë që unë të kem biseduar me dikë për ndryshimin e statusit tim. Më pëlqen kjo që bëj. Drejtimi i Federatës së Futbollit për mua ‘part-time’. Unë jam një person i zgjedhur dhe këtë detyrë e bëj me dëshirë dhe do të doja ta mbyllja mandatin 4 vjeçar. Por e kam thënë edhe një herë tjetër që kurrë mos thuaj kurrë për t’i lënë vetes mundësi që të përshtatesh në çdo situatë. Kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk ka lidhje me financimin e futbollit dhe patjetër që në këtë drejtim do të bëja shumë më tepër. Unë do ta bëja Durrësin të ishte në krye të futbollit shqiptar, ashtu siç i takon. Nuk besoj se do të ndodh, por kurrë mos thuaj kurrë, por unë do të mbaroj mandatin tim si president i FSHF, aq më tepër që sot jemi në ditë të mira, me një ekip kombëtar që më mbush dhe më kënaq”, përfundon presidenti i Federatës së Futbollit, zoti Armand Duka.

Top Channel