Akuzat e PD, reagon Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

21/12/2014 00:00

Pas akuzave të ardhur nga PD, ka reaguar Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, duke deklaruar se në muajin janar merr jetë projekti i rehabilitimit të aksit përgjatë liqenit të Ohrit, nga Lini në Pogradec.

“Qeveria, nëpërmjet institucioneve përgjegjëse, po transmeton një qasje tjetër, atë të respektimit të shtetit ligjor, duke shpërblyer çdo person që disponon një titull pronësie, që preket nga ky projekt madhor, pavarësisht si është  ndërtuar dhe më pas hipotekuar”,  thuhet ne reagimin e Ministrisë.

Sipas ministrisë, në total janë 21 objekte, deri në momentin e shpalljes së listës, pa administruar kontestimet dhe jo 53 objekte,  të cilat janë vlerësuar në masën 4. 5 milionë dollarë.

“Totali i investimit nga buxheti i shtetit përfshirë dhe fondin për projektin e rehabilitimit, shkon afërsisht në vlerën 7 milionë dollarë.  Komisioni i Shpronësimit,  ngritur pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit për të vlerësuar praktikat nëse janë të bazuara në ligj dhe akte nënligjore, fton zotin Spaho të njohë dokumentacionin e cituar më sipër dhe më pas, të bëjë politikë mbi dëshpërimin dhe manipulimin me prishje imagjinare,” mbyllet reagimi i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Top Channel