Albin Kurti kritikon ashpër koalicionin qeverisës në Kosovë

22/12/2014 00:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zgjodhi mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të lëvizjes që të kritikojë ashpër koalicionin e ri qeverisës. Ai i cilësoi kriminelë të llojeve të ndryshme Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe përfaqësuesin e listës serbe, Aleksandër Jabllanoviçin.

Sipas Kurtit, këta të tre janë shefat e kryeministrit Isa Mustafa që në të vërtetë do të duhej të ishte ai shef i tyre: “Objektivi për ta është i qartë, të rehabilitohet Kadri Veseli, Aleksandër Jabllanoviçi dhe Hashim Thaçi, që janë tre shefat e vërtetë të Isa Mustafës që do të duhet të ishte formalisht shef i tyre. Këta tre shefa përfaqësojnë tre lloje të ndryshme të krimit. Krimin mafioz në shërbim të interesave të errëta që e ka bërë Kadri Veseli dhe organizata me të cilën PDK-ja e ka marrë pushtetin dhe e ka ndërtuar kapjen e shtetit, pra SHIKUN. Krimi nacional-shovinist i përfaqësuar nga Jabllanoviçi, i cili selinë e vërtetë e ka në Beograd dhe krimi kombëtar i përfaqësuar nga Hashim Thaçi, i cili e zëvendësoi bashkimin kombëtar me pavarësinë e Ahtisarit, që sot po e negocion me Serbinë.”

Kryetari i Vetëvendosjes shtoi se nëse Kosova vazhdon të qeveriset me përfaqësues të tillë, atëherë populli do të përfundojë në ndjekje të emigracionit, kriminalitetit apo në punë për ekstremizëm fetar.

Kurti nuk la pa kritikuar as kryeministrin Mustafa. Sipas Kurtit, Mustafa ka pranuar të qeverisë me PDK-në nga frika se do të hyjë në burg.

Top Channel