Dekorimi i Prishtinës, drejt fundit

22/12/2014 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, java që po vjen do ta gjejë Prishtinën të dekoruar për festat e fundvitit. Të dielën në mbrëmje, kompania që ka fituar tenderin për këtë, po kryente punimet e fundit.

Një pemë e Vitit të Ri është vendosur në sheshin “Skënderbeu” dhe një tjetër në atë “Zahir pajaziti”, ndërsa dritat e përvitshme që ndriçojnë qytetin pritet të ndizen shpejt.

Qytetarët e në veçanti më të vegjëlit shprehin gëzimin e tyre duke bërë nga një fotografi me pamje festive. Nuk përjashtohen as nga ky fundvit babagjyshët, të cilët ndonëse pa lejen e autoriteteve, tashmë kanë zënë pozicionet e tyre në hapësirat publike.

Fëmijët janë grupi i targetuar i biznesit me babagjyshë, qoftë për shitjen e dhuratave apo për fotografi.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se dekorimi i qytetit në përgjithësi është bërë në bashkëpunim me dy operatorët e telefonisë mobile dhe kompani të tjera private. Njëkohësisht pritet që me rastin e festës së vitit të ri, Komuna e Prishtinës të organizojë aktivitete të ndryshme rekreative dhe argëtuese.

Top Channel